Zoran Zaev: Ngjarjet në Kumanovë i ka organizuara pushteti; Arbër Ademi; Zaev manipulon me ndjenjat e shqiptarëve

05.02.2016 16:53

Ka dëshmi serioze se ngjarjet në Kumanovë janë të organizuara nga pushteti...

Kështu ka pohuar edhe njëherë lideri i LSDM–së, Zoran Zaev, në takimin e djeshëm me qytetarët e Kapishtecit. 

“Ndodhitë në Kumanovë janë organizuar nga rrethi i ngushtë i Qeverisë. Ka dëshmi serioze se ngjarjet në Kumanovë janë të organizuara nga pushteti dhe të nesërmen u janë paguar 2 milionë e 600 mijë euro disa mediave  për ta mashtruar opinionin”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Ndërkohë, profesori universitar, Arbër Ademi, thotë se nuk është hera e parë që LSDM-ja dhe kreu i saj, Zoran Zaev, të japin qëndrime konfuze, qëndrime të cilat janë jokonsekuente. Sipas tij, socialdemokratët edhe për raste të tjera të ndjeshme në aspektin etnik kanë dhënë deklarata të cilat nuk i kontribuojnë përmirësimit të situatës nëpër të cilën kalon Maqedonia.

“Nuk është hera e parë që tentohet të manipulohet me ndjenjat e shqiptarëve, duke pasur parasysh edhe paralajmërimet e mëhershme për publikimin e fakteve për raste të ndjeshme politike e etnike që deri më tani nuk ka ndodhur”- tha profesori universitar, Arbër Ademi.

Ky debat, i cili po bëhet në rrugë, por edhe faktet të cilat pretendojnë se i kanë socialdemokratët, por edhe të tjerët, duhet të dërgohen në adresë të Prokurorisë Speciale, thotë Ademi. Pasi që formimi i kësaj prokurorie ka nënshkrimin edhe të liderit të LSDM-së. 

“Konsideroj se është e rrugës që ky debat e ky kontest që ekziston në skenën politike të Maqedonisë të merr një epilog institucional. Konsideroj se jo vetëm z. Zaev, por edhe gjithkush tjetër që posedon fakte, e veçanërisht për ngjarjet të cilat janë të rëndësishme në aspektin etnik, të ndjekin rrugën institucionale. Pra, debati të zhvendoset nga rruga në institucionet e vendi, për të cilën kanë kontribuar të gjithë liderët. Këtu e kam fjalën për Prokurorinë Speciale dhe organet tjera që ky debat dhe tension të merr epilog ashtu siç duhet”- theksoi Ademi.

Profesori universitar, Arber Ademi, vlerëson se Zaev nuk duhet të manipulojë me ndjenjat e shqiptarëve, sepse kjo mund të ketë efekte negative në të gjithë shoqërinë tonë. (Sanije Duraku, TVM2)