Maqedoni

Misioni i ShBA-së në OSBE: Mbështetni punën e KShZ-së dhe të Katica Janevës

05.02.2016 16:59

Misioni i ShBA-së në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u bën thirrje të gjitha partive të mbështesin Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe punën e prokurores speciale, Katica Janeva...

Në një letër të hapur të Kejt Bërns, përfaqësuese e ShBA-ve në Këshillin e OSBE-së në Vjenë, shprehet shqetësimi për ngecjen e implementimit të rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it në 2014, në të cilat përfshiheshin azhurnimi i listës zgjedhore, ndarja e shtetit nga partia, parandalimi i frikësimit dhe presionit ndaj votuesve dhe reformat në media. 
 
Bërns gjithashtu kritikon edhe sulmet e kreut të VMRO-së ndaj prokurores speciale.  
 
“Ne inkurajojmë të gjithë partitë politike të mbështesin, publikisht dhe privatisht, punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, të sigurohen që kanë staf të mjaftueshëm, burime dhe qasje në informacione të nevojshme për të ndërmarrë punën që duhet për analizat e para mbi listën e zgjedhësve të vendit. Një tjetër burim shqetësimi janë edhe qëndrimet e një partie politike, VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj që sulmon punën e prokurores speciale. Ne u bëjmë thirrje të gjithë partive politike, që njëzëri ranë dakord për emërimin e znj. Janeva, të mbështesin politikën e prokurores speciale në të gjithë fazat e punës së saj”,- thuhet në letrën e hapur të Kejt Bërns (Kate Marie Byrnes).
 
Të gjithë personat që kanë vepruar në mënyrë të jashtëligjshme duhet të japin llogari për veprimet e tyre, thotë Bërns. Sipas saj, pas 24 shkurtit, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja do të rishqyrtojnë edhe një herë të gjitha masat e marra në vend gjatë kësaj periudhe dhe do të vendosin nëse ka kushte të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill, siç janë parashikuar me Marrëveshjen e Përzhinës.
 
SHPËTIM NUREDINI