Protesta në Bogovinë, ujësjellësi të mos vihet në kompetencë të komunës

05.02.2016 17:26

Për herë të dytë banorët e Bogovinës kanë protestuar para objektit të komunës, duke kërkuar që komuna të mos e merr në kompetencat e saj ujësjellësin....

Sipas protestuesve, ujësjellësi është  ndërtuar dhe mirëmbajtur nga vetë banorët, prandaj kërkojnë që ujësjellësi të menaxhohet në partneritet publiko-privat.

“Ky ujësjellës u ndërtua, u mirëmbajt dhe u rindërtua sërish, por gjithnjë vetëm me paratë e bogovinasve dhe asnjëherë të vetme nuk u ndihmua nga institucionet e shtetit”- deklaroi një banor.

Nga Këshilli për organizimin e protestës kanë theksuar se edhe ujësjellësi nuk duhet të kalojë në ingerenca të komunës, por të mbetet nën menaxhimin e shoqatës “Ali Munishi”, e cila edhe deri më tani e ka menaxhuar atë.

“Historia e lavdishme e ndërtimit të ujësjellësit me vetëangazhim të banorëve dhe pa ndihmën e asnjë institucioni, ndërkohë që sot vlerësohet se ujësjellësi kap vlerën prej tre deri në pesë milion euro. Nën dy, menaxhimi i mirë nga ana e udhëheqësisë së ujësjellësit mbi 30 vite. Udhëheqësia aktuale e ujësjellësit akuzohet nga komuna se vepron në mënyrë joligjore, e, e vërteta është se vet komuna ka kërkuar që të bëhet presion mbi udhëheqësinë e ujësjellësit”- tha Vedat Sadiku nga Këshilli i organizimit të protestave.

Protestuesit u shprehën të vendosur për të pamundësuar që komuna të merr nën kontroll ujësjellësin. (Visari Sadiki, TVM2)