Maqedoni

Pastrimi i listës zgjedhore, Maksuti: KShZ s’ka kohë të pastrojë listën

05.02.2016 18:04

KShZ nuk do të ketë kohën e mjaftueshme për pastrimin e mirëfilltë të listës zgjedhore...

Konstatimin e tillë, profesori i së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti, e mbështet në miratimin e vonuar të metodologjisë. Sipas Maksutit, pa një kontroll statistikor të mirëfilltë gjasat janë minimale të arrihet që më 24 prill lista të pastrohet nga votuesit fiktiv.
 
"Sipas gjasave, duket se nuk do të ketë kohë që KShZ të bëjë pastrimin e listës zgjedhore pa bërë një kontroll statistikor të mirëfilltë, të bëjë një krahasim të të gjitha të dhënave nga më shumë institucione, pra një kryqëzim të informatave lidhur me të dhënat që kanë ekzistuar nëpër listat zgjedhore të votuesve të dyshimtë dhe gjasat janë tejet minimale që më 24 prill të arrijë KShZ të bëjë pastrimin e mirëfilltë të listës zgjedhore”- deklaroi analisti, Mersim Maksuti.
 
Nga KShZ dje u prononcuan se kanë nisur përgatitjet për të marrë të dhënat nga institucionet relevante dhe po e përgatisin terrenin për pastrimin e listës së votuesve, por pa precizuar se a do të arrihet ky qëllim final deri më 24 prill. Sipas Maksutit, kjo lë të nënkuptohet se Maqedonia mund të ketë zgjedhje, por jo me lista të pastruara.
 
“Vetë fakti se kryetari i KShZ-së u deklarua se KShZ si institucion kompetent nuk është në gjendje që deri më 24 prill të bëjë pastrimin, Maqedonia mund të shkojë në zgjedhje teknike, por jo me pastrim të listës  zgjedhore, gjë që pastrimi i listës përbën një nga pikat kyçe, i cili garanton  proces të rregullt, të mirëfilltë, demokratik në RM"- tha analisti, Mersim Maksuti.
 
Aktivitetet për kryqëzim të të dhënave pritet të fillojnë pas disa ditësh, pasi të gjitha institucionet relevante t’ia dorëzojnë të dhënat KShZ-së. Për momentin vetëm Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar të dhënat e votuesve, ndërkaq marrëveshje për transferim të të dhënave KShZ ka nënshkruar edhe me 4 institucione të tjera.
 
MERAL ISMAILI