Botë
Tërmeti në Tajvan, 40 numri i të vdekurve, gjenden njerëz të gjallë edhe pas 48 orësh
08.02.2016 15:14
Ka arritur në 40 numri i viktimave si pasojë e tërmetit në Tajvan teksa ekipet e emergjencës kanë arritur të gjejnë në jetë persona edhe pas më shumë se 48 orë nën rrënoja...

Një grua u gjet në rrënojat e një pallati në qytetin Tainan dhe sipas zyrtarëve ajo ndodhej poshtë trupit të bashkëshortit të vdekur, teksa aty pranë ndodhej i pajetë edhe djali i tyre 2 vjeçar.
Pak më vonë, një 14 vjeçare është gjetur nga ekipet e emergjencës nën rrënojat e një ndërtese 6 katëshe pas 20 orë përpjekjesh nga ekipet e emergjencës.
Tërmeti me magnitudë 6.7 gradë goditi vendin dy ditë para Vitit të Ri kinez, teksa mbi 100 persona mendohet se janë ende nën rrënoja.
Në orët e vona të së dielës zyrtarët tajvanezë thanë se 310 persona janë shpëtuar, prej të cilëve mbi 100 janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme.
Vajza 6 muajshe, e cila u gjet e gjallë nën rrënoja, ndërroi jetë disa orë më pas në spital. Qindra ushtarë janë përfshirë në operacionet e shpëtimit me ndihmën e pajisjeve të teknologjisë së lartë, qen nuhatës dhe vinça. Autoritet po ngrenë qendra për të strehuar të gjithë ata që kanë mbetur pa shtëpitë e tyre.
Taivani është tronditur shpesh nga tërmetet, por më i rëndi konsiderohet ai në vitin 1999, me magnitudë 7.3 ballë, i cili la më shumë se 2 mijë të vdekur.
GAZMEND KURTISHI
