Kadastra me shërbim të ri elektronik, fillon shërbimi “watch dog”

08.02.2016 15:48

Kadastra filloi me një shërbim të ri për kontroll më të shpejtë të pronës...

Bëhet fjalë për aplikacionin “watch dog”, me të cilin bankat, përmbaruesit dhe kompanitë në çdo moment do të kenë qasje për kontroll të cilësdo pronë. Për shfrytëzim të këtij shërbimi të interesuarit duhet të parapaguhen në servisin me të cilin do t'u mundësohet përcjellje e të gjitha kërkesave të parashtruara dhe ndryshimeve të fletëpronësisë.

“Me ‘watch dog’ aplikacionin përmbaruesi që në momentin e parë kur fillon një procedurë për përmbarim do të mund të ndjek të gjitha ndryshimet. Kjo do të ndalojë të gjitha manipulimet me atë pronë patundshmërie në njërën anë dhe në anën tjetër do të largojë shpenzimet e panevojshme që mund të ndodhin gjatë procedurës së përmbarimit”- deklaroi drejtori i Odës së Përmbaruesve, Zoran Petreski.

Një shërbim i tillë elektronik është kërkuar nga bankat dhe përmbaruesit, thonë nga Agjencia e Kadastrës së Patundshmërive.

“Bëhet fjalë për aplikacion i cili është kërkesë e drejtpërdrejt e bankave dhe përmbaruesve, dhe i cili do të rrit sigurinë juridike të pronës. Bëhet fjalë për aplikacion me të cilin qoftë banka, përmbaruesi apo kreditori do të mund që përmes sportelit  elektronik të paraqitet dhe të identifikojë pronën për të cilën ka interes”- tha drejtori i Agjencisë së Kadastrës, Slavçe Tpevski.

Shërbimi i ri sot u është promovuar rreth 40 kompanive anëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë, ku u vlerësua se me këtë masë do të rritet siguria juridike edhe e kreditorëve, sepse në çdo moment do të kenë verifikim në gjendjen e pronës, e cila është vendosur si hipotekë. (Gazmend Rexhepi, TVM2)