Thaçi dhe Popovski nënshkruan marrëveshjen, në Maqedoni dhe Kosovë me letërnjoftime

08.02.2016 15:51

Maqedonia dhe Kosova nënshkruan sot dy marrëveshje të rëndësishme bilaterale, atë për kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftim biometrik dhe atë për hapjen e një pikëkalimi të ri kufitar mes dy vendeve, Bellanoc–Stançiq...

Për Maqedoninë është shumë e rëndësishme të kemi fqinjësi stabile, të sigurt dhe me prosperitet, deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, pas takimit në Prishtinë me homologun e tij, Hashim Thaçin.
 
“Në takim patëm biseda miqësore për shumë tema të cilat janë të rëndësishme për qytetarët tanë në pjesën e ekonomisë, arsimit, shkencës dhe kulturës, sigurisë dhe infrastrukturës. Interesi ynë strategjik është që të kemi fqinjësi stabile dhe me prosperitet në Kosovë, dhe pikërisht në këtë drejtim nënshkruam dy marrëveshje, e para marrëveshje bilaterale për kushtet e udhëtimit, si dhe protokollin për hapjen e kufirit të përbashkët kufitar”- deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
 
Maqedonia për Kosovën është partner i rëndësishëm strategjik, politik dhe diplomatik, vlerëson zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. 
 
“Sot është një moment i ri për popujt tanë. Nënshkruam marrëveshje të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë, njëra për kalimin e kufirit me letërnjoftim, tjetra për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar, Bellanoc Stanciq, që afron Karadakun me Maqedoninë. Ne  do të punojmë në implementimin e shpejt të marrëveshjeve. Falënderoj ministrin Popovski për mbështetjen që Maqedonia i ka dhënë mbështetje Kosovës kudo në raportet ndërkombëtare”- tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.  
 
Interesi i Kosovës është që Maqedonia sa më shpejt të anëtarësohet në NATO dhe BE, ndërkaq Kosova mbështet të gjitha proceset politike në Maqedoni, përfshirë edhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)