Maqedoni

Avokati i popullit: Qytetarët të lejohen të votojnë të lirë

08.02.2016 16:00

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, avokati i popullit, Ixhet Memeti, përkujton qytetarët për rëndësinë e së drejtës zgjedhore, ndërsa institucionet për krijimin e kushteve reale që të arrihet proces zgjedhor i besueshëm...

Mexhiti kërkon nga qytetarët që të mos heshtin, por të bëhen aktiv, sepse vetëm ashtu do të mund të mbrojnë të drejtat e tyre sa i përket procesit zgjedhor.
 
Nga ky institucion ftojnë qytetarët që të kontrollojnë të dhënat në listën zgjedhore dhe në rast se konstatojnë se në të ka të dhëna për persona të cilët mbi asnjë bazë nuk duhet të figurojnë, rastet t’i denoncojnë te Avokati i Popullit. 
 
“Secili ka të drejtë të deklarohet për opsionin e  tij dhe për këtë të mos vuaj as kurrfarë pasoja. Qytetarët janë ata të cilët vendosin. Askush nuk guxon në emër të tyre, përmes formave të ndryshme të presionit, shantazhit dhe kërcënimit të vendos. Pikërisht për këtë edhe ju inkurajoj që çdo formë të presionit, cenimit të të drejtave të huaja dhe shkeljes së rregullave ta denonconi menjëherë dhe pa mëdyshje, mes tjerash edhe përmes linjës telefonike falas: 080054321, tek Avokati i Popullit dhe drejtpërdrejt në zyrat rajonale”- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
 
Avokati i popullit, Memeti, fton KShZ-në të përgatisë listë zgjedhore kualitative, e cila nuk do të lë asnjë dyshim. Sipas tij, duhet bashkëpunim më i madh mes KShZ-së, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera kompetente në drejtim të parandalimit të çdo parregullsie para, gjatë dhe pas zgjidhjeve.   
 
SANIJE DURAKU