Hulumtimet për rreziqe nga korrupsioni, kërkohet sanksionim i rasteve korruptive

08.02.2016 16:14

Korrupsioni dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare janë gjithnjë prezent në institucionet qendrore dhe lokale, por ato shumë pak janë sanksionuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit...

Aktivistët e pavarur me një qëndrim të tillë të nxjerrë nga hulumtimet e kryera, drejtojnë gishtin drejt Komisionit Anti-korrupsion, që ai në të ardhmen të zbatojë ligjet dhe në përbërje të tij të emërojë ekspertë për të sanksionuar korrupsionin. Aktivisti, Martin Duvnjak, si shembull më të freskët të heshtjes së Komisionit Anti-korrupsion ndaj korrupsionit thekson projektin “Shkupi 2014” dhe skandalin me përgjimet.

“Shuma fillestare për realizimin e projektit prej 80 milion euro arriti në 560 milion euro dhe ky projekt i ndërtimit vazhdon. Komisioni për Anti-korrupsion nuk u prononcua dhe nuk ndërmori asnjë iniciativë. Gjithashtu u hesht edhe mbi skandalin e përgjimeve, ku u përmendën forma të ndryshme të korrupsionit nga funksionarë, manipulime në zgjedhje, si dhe manipulime me tenderë”- deklaroi aktivisti, Martin Duvnjak.

Hapësirë për zhvillim të korrupsionit dhe mitmarrjes në Maqedoni kohëve të fundit është shfaqur edhe gjatë transitimit të migrantëve. Hulumtimi njëmujor i aktivistit, Artan Sulejmani, flet se migrantët keqpërdoren gjatë transportit, ku atyre jo vetëm që u merren nga 25 euro, por nuk u jepen as llogari fiskale nga ana e taksi-vozitësve.

“Nëse çdo migrant ka me vete afër 300 euro, atëherë kjo le të kuptohet se nëpërmjet migrantëve transitojnë diku 120 milion euro para kesh. Kjo i bën migrantët cak i mundshëm për keqpërdorim të njerëzve, si edhe paraqet rrezik për përhapjen e korrupsionit si dhe mitdhënies nëpërmjet keshit”- tha aktivisti, Artan Sulejmani.

Aktivistët rekomandojnë që policia të shtojë kontrollet në vendkalimet kufitare në detektimin e këtyre keqpërdorimeve, ndërkaq Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të rrisë bashkëpunimin me qytetarët dhe organizatat joqeveritare. Vetëm në këtë formë qytetarët do të kenë qasje në punën që bën Komisioni. (Meral Ismaili, TVM2)