Shkupi gjunjëzoi ekipin e SEEU Tetovës
Lojtarët e FC Shkupit shumë shpejt kanë rimarë veten pas disfatës javën e kaluar ndaj Zhelezarecit...

"Bardhekaltërit" nga Çairi të dielën në terenin e tyre mundën SEEU Tetovën me rezultatin 8:4, ku sërish në qendër të vëmendjes ishte top realizatori i ligës së parë në futsall, Erkan Seferi.
Numri 11 i Shkupit në këtë takim realizoi gjysmën e golave të skuadrës së tij (4 gola), duke udhëhequr skuadrën drejt fitores së 9-të në edicionin e sivjetshëm. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2:0. Erkan Seferi pas 6 minuta e 36 sekonda lojë kaloi në epërsi Shkupin, ndërsa në minutën 10:16 një goditje e Agron Fazlijës u devijua në rrjetë nga futbollisti kundërshtarë Besnik Sulejmani për rezultat 2:0.
Seferi pas 1 minutë e 36 sekonda lojë në pjesën e dytë ngriti epërsinë e Shkupit në 3:0, dhe kur u mendua se Shkupi do të bombardojë me gola SEEU Tetovën, ndodhi e kundërta.
Mysafirët nga Tetova brenda më pak se tre minuta (26:49 - 28:58) shënuan tre gola të shpejtë me autorë Sadam Saiti (2 gola) dhe Meriton Halili duke arritur për të barazuar shifrat në 3:3. Ishte kjo periudha kur trajneri Lekiq vendosi që në lojë të inkuadrojë disa prej futbollistëve me minutazhë më të vogël, mirëpo që shumë shpejt gjërat erdhën në vend me inkuadrimin në lojeë të lojtarëve të formacionit të parë të cilët sërish bënë diferencën. Ishte sërish Erkan Seferi ai i cili në minutën (30:47) kaloi në epërsi Shkupin, që më pas një penalti të shkaktuar ndaj tij, Nikolla Dimovski (31:41) ta shndërrojë në gol për rezultat 5:3.
Një super pasim të Erkan Seferit, Bejtullah Jakupi në minutën (31:58) e kurorëzoi me golin e 6-të në rrjetën e mysafirëve, për të dalë sërish në skenë vetë Erkan Seferi i cili në minutën e (36:33) ngriti epërsinë e Shkupit në 7:3.
Golin e 8-të dhe të fundit në këtë ndeshje për Shkupin e realizoi Skender Kovaçi (37:32), ndërkohë rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Shkupi 8, SEEU Tetova 4 e vendosi Kushtrim Karamani në vetëm 22 sekonda para fundit të takimit.
Falë kësaj fitore Shkupi ruan pozitën e dytë në tabelë me 27 pikë të tubuara, 12 më pak se kryesuesi aktual, Zhelezareci që mbrëmë mundi Hedisin me rezultatin 3:1. (futsalshkupi)
