Maqedoni

Sh. F. “Kongresi i Manastirit” në Çair kyçet në ngrohjen qendrore

08.02.2016 16:34

Shkolla Fillore “Kongresi i Manastirit” kyçet në ngrohjen qendrore të qytetit të Shkupit. Projekti u realizua nga operatori ekonomik “Toplifikacija Inzhiniering”.

Me anë të këtij projekti do të përmirësohet niveli i procesit edukativo-arsimor, ndërsa i njëjti ka filluar të funksionojë prej janarit të këtij viti, bëjnë të ditur nga Komuna e Çairit.  
 
“Më 11 janar të 2016 ngrohja qendrore funksionon në Shkollën komunale ‘Kongresi i Manastirit’ dhe me këtë janë formuar kushte më të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor. Sa për informim, gypat për përcjelljen e ujit të ngrohtë janë në gjatësi prej 170 metrave. Projekti me automatizmin e plotë kushton diku rreth 50 mijë euro”- deklaroi kryetari i Këshillit të Komunës Çair, Zahir Bekteshi.
 
“Më parë ne nuk kemi pasur ngrohje qendrore, mirëpo kemi pasur ngrohje vetanake. Kështu kishim probleme të mëdha të natyrave të ndryshme, plasaritje të gypave dhe dëme shumë të mëdha, mirëpo në mbështetje të komunës ia arritëm qëllimit që të lidhemi me ngrohjen qendrore”- tha drejtori i Sh. F. “Kongresi i Manastirit”, Faik Xhoni.
 
Sa i përket ndërrimit të emrave të shkollave fillore “Imri Elezi” dhe “Ismail Qemali”, Bekteshi thotë se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt.  
 
“Ne e dimë se ekzistojnë antagonizma të ndryshëm, por megjithatë mendojmë se çështja e ministrisë që nuk e ka dhënë atë pëlqim do të ndodhë shumë shpejt, sepse dalëngadalë tejkalohen ato mosnjohje të procedurës, por edhe antagonizma të ndryshëm nga qarqe të ndryshme. Unë besoj se ajo nuk do të thotë se ne nuk do të tërhiqemi, apo do të tërhiqet sepse ajo është vullneti i shkollës, që nënkupton se është vullneti i banorëve dhe ajo në një të ardhme shumë të afërt do të rezulton me atë dhe do ta reflekton realitetin që duhet ta ketë konform Ligjit për decentralizim sa i takon arsimit”- tha kryetari i Këshillit të Komunës Çair, Zahir Bekteshi.
 
Ministria e Arsimit gjatë vitit të kaluar ka firmosur vendimet vetëm për dy nga 4 shkollat e Çairit, atë të “Hasan Prishtinës” dhe “Jashar Bej Shkupit”, kurse ende në procedurë mbeten emrat e Imri Elezit dhe Ismail Qemalit për shkollat “Nikolla Vapcarov” dhe “Rajko Zhinzifov”.
 
ERSAN PAJAZITI