Takimi i liderëve te presidentja Jahjaga, Haradinaj: Menjëherë të shpallen zgjedhjet; Thaçi e Mustafa: Opozita të heq dorë nga dhuna

08.02.2016 17:06

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë rrugëdalja e vetme nga kriza politike në të cilën ndodhet Kosova, deklaroi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit të ftuar nga presidentja, Atifete Jahjaga, me liderët partiak...

Po ashtu, Haradinaj ka theksuar se opozita mbetet e bashkuar, ndërsa prezenca e tij në takim ka qenë shprehje e vullnetit të mirë për të kërkuar rrugëdalje nga kriza në të cilën është futur Kosova pas marrëveshjeve me Asociacionin.

“Kam kërkuar që menjëherë të shpërndahet parlamenti. Vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi të dalë nga kriza. Po ashtu kam kërkuar që presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë. Me këtë ardhje në takim unë e kam shprehur vullnetin tonë të mirë për të ndihmuar për të dalë nga kriza aktuale. Ju kam dhënë propozimin, shpresoj që këta që ishin vendimmarrës apo prezentë do të reflektojnë. Opozita mbetet e bashkuar, shihemi më 17 shkurt”- deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.    

Qëndrimi i Haradinajt nuk u duk i pranueshëm për liderët e dy partive në pushtet, Hashim Thaçin e PDK-së dhe Isa Mustafën e LDK-së, të cilët i kërkuan opozitës të heq dorë nga dhuna.

“Duke vlerësuar prezencën e z. Haradinajt, ai në asnjë çast nuk e ka ngrit si shqetësim çështjen e Demarkacionit apo Asociacionit. Andaj mendoj se ky është një hap i parë pozitiv prej tij. Por, kishte shqetësim tjetër, shqetësimin direkt, do të thotë të marrjes së pushtetit apo agjendës elektorale. Natyrisht se agjenda elektorale përcaktohet në afate të rregullta kushtetuese dhe ligjore, duke respektuar gjithmonë legjitimitetin qytetar”- tha kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

“Kërkuam të hiqet dorë nga dhuna, sepse me dhunë nuk mund të zgjidhen problemet në Republikën e Kosovës, as me gaz lotsjellës në Kuvend dhe as me shishe të molotovit dhe përdorim të mjeteve tjera të dhunshme ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës jashtë”- theksoi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.      

Krahas përfaqësuesve të partive parlamentare, në takim ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, dhe ambasadori amerikan. Ftesës nuk i janë përgjigjur pozitivisht “Nisma” dhe “Vetëvendosje”. (Gyltene Sinani, TVM2)