Incident mes dy nxënësve në ZLM, theret me thikë një 16 vjeçar

08.02.2016 17:46

Një sher mes dy nxënësve në Shkollën e Mesme “Zef Lush Marku” në Shkup ka përfunduar me një nxënës të therur me thikë...

Incidenti ka ndodhur gjatë pushimit të madh, rreth orës 10, para oborrit të shkollës. Ata duke dalë nga objekti i shkollës për pushim, janë zënë verbalisht dhe në një moment nxënësi i vitit të parë ka nxjerrë thikën dhe e ka sulmuar nxënësin e vitit të dytë. Autoritet e shkollës e konfirmojnë incidentin, po thonë se nuk i dinë shkaqet e vërteta për këtë incident.

“Është e vërtetë se mes dy nxënësve të shkollës tonë ka ndodhur një incident gjatë pushimit të madh. Incidenti ka ndodhur jashtë oborrit të shkollës, ku një nxënës është sulmuar me thikë nga një nxënës tjetër të shkollës tonë. Sipas disa informatave, njëri prej nxënësve e sulmoi me thikë tjetrin. Ne jemi në kontakt me nxënësin e lënduar, bisedova me të, dhe ai është në gjendje të mirë shëndetësore. Arsyet janë banale, janë zënë duke u ofenduar me fjalë”- deklaroi drejtori i Shkollës së Mesme “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri.

Nxënësi i lënduar është dërguar menjëherë në Spitalin e Qytetit të Shkupit dhe atij i është dhënë ndihmë mjekësore përkatëse. Drejtoresha e kësaj klinike, Jasminka Çabukovska, për TVM-2 thotë se nxënësi i lënduar është i moshës 16 vjeçare dhe ka pasur fatmirësisht vetëm disa grithje jo të thella në kokë. Për momentin gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe i njëjti është dërguar në mjekim shtëpiak. 

Nxënësit e ZLM-së nuk deshën të prononcohen, por autoritet e shkollës thonë se dy nxënësit e përfshirë në këtë incident nuk kanë qenë fare problematik në të kaluarën. Edhe Ministria e Punëve të Brendshme konfirmon rastin dhe informon se janë duke punuar në zbardhjen e plotë të incidentit. (Rexhep Qamili, TVM2)