Maqedoni

Rasti i Kumanovës, nesër nisë procesi gjyqësor, Memeti: të hetohet kush përdori dhunë ndaj të akuzuarve

08.02.2016 17:52

Gjykimi për pjesëtarët e grupit të armatosur të përfshirë në përleshjen e armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë më 9 dhe 10 maj fillon nesër...

Pala mbrojtëse është prononcuar se kërkon që rasti t’i kalojë Prokurorisë Speciale, ndërsa gjatë sjelljes së të akuzuarve në Gjykatë pala mbrojtëse njoftoi se të akuzuarit janë rrahur dhe keqtrajtuar.
 
Keqtrajtimin e tyre e konfirmon edhe avokati i popullit, Ixhet Memeti, i cili bën të ditur se javën e kaluar ka marrë përgjigje nga Prokuroria e Shkupit dhe Manastirit se po punojnë në grumbullimin e dëshmive rreth kësaj çështje.
 
“Këto nuk janë pohime të mijat, këto janë prova materiale dhe verbale të cilat janë përpunuar në një fletëparaqitje penale dhe u janë drejtuar Prokurorisë, se në tre raste, dy të fundit, që më herët AP vlerëson se ka elemente të dhunshme se janë keqtrajtuar. Sa i përket dy rasteve të fundit, unë përgatita raport të posaçëm dhe ia drejtova për pengim në punë Prokurorisë, pasi që nuk kisha përgjigje më tepër se 30 ditë. Javën që kaloi mora përgjigje nga Prokuroria e Manastirit dhe Shkupit se ata e kanë pranuar, kanë filluar të grumbullojnë të dhëna dhe i janë drejtuar MPB-së, nga e cila kërkojnë emrat e policëve të cilët i kanë shoqëruar. Do të kuptohet kush ka qenë. E pres procesin e nesërm”- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
 
Memeti thotë se pasi tanimë është konstatuar se mbi të akuzuarit është ushtruar dhunë qoftë fizike apo psikike, organet kompetente duhet të mendojnë për zbardhjen e rastit, pasi edhe policia duhet të respektojë ligjet dhe në asnjë mënyrë të mos ushtrojë dhunë ndaj të akuzuarve.
 
SANIJE KASAMI