Botë

OKB: mijëra të burgosur vdesin në burgjet siriane

08.02.2016 18:00

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara kanë bërë të ditur se mijëra të burgosur kanë vdekur në burgjet e Sirisë për katër vjet e gjysmë...

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara kanë bërë të ditur se mijëra të burgosur kanë vdekur në burgjet e Sirisë për katër vjet e gjysmë, sa edhe zgjat atje konflikti civil. 

Komisioni i Hetimeve i OKB-së i ka përshkruar vrasjet si pjesë e politikës shtetërore të “shfarosjes”, e cila përbën krim kundër njerëzimit.

Në raportin e publikuar sot, komisioni në fjalë i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrë sanksione kundër zyrtarëve sirianë, përgjegjës ose bashkëpunëtorë në vrasje, tortura dhe zhdukje në paraburgim, si dhe të nisë procedime në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime, me seli në Hagë. Komisioni i Hetimeve i OKB-së nuk ka përmendur asnjë emër konkret.

Dhjetëra-mijëra njerëz po mbahen nga qeveria në afat të pacaktuar, ka thënë paneli i ekspertëve të pavarur.

Ky panel po ashtu ka dokumentuar ekzekutime masive dhe torturim të të burgosurve nga grupet militante, “Al Nusra” dhe “Shteti Islamik”.