Maqedoni

Shkup, filloi gjykimi i Grupit të Kumanovës

09.02.2016 09:10

Sot filloi gjykimi i Grupit të Kumanovës, me ç’rast në bankën e të akuzuarve janë ulur 29 të arrestuarit në Lagjen e Trimave...

Sot filloi gjykimi i Grupit të Kumanovës, me ç’rast në bankën e të akuzuarve janë ulur 29 të arrestuarit në Lagjen e Trimave më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar, ku humbën jetën 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.
 
Të akuzuarit do të gjykohen për veprat penale “organizim terrorist” nga neni 394-a dhe për “terrorizëm” nga neni 394-b, sipas Kodit Penal i Maqedonisë.
 
Më 7 dhjetor të vitit 2015, që të gjithë 29 të akuzuarit për terrorizëm para Këshillit Gjyqësor të Gjykatës Themelore Shkupi 1 janë deklaruar se nuk ndjehen fajtor për veprën “terrorizëm”.
 
Sipas Prokurorisë, grupi i njëjtë ka marrë pjesë edhe në sulmin e karakollit në Gushincë. Nga ana tjetër, pala mbrojtëse hedh poshtë akuzën për terrorizëm, avokatja Artene Ademi-Iseni madje u ankua për torturë dhe dhunë ndaj të akuzuarve gjatë transportimit të tyre nga burgu deri në Gjykatë.
 
Në përgjithësi, pala mbrojtëse deri më tani kërkonte lëndën ta marrë prokurorja speciale, Katica Janeva, pasi sipas tyre ngjarjet kanë prapavijë tjetër nga ajo që përfaqëson Prokuroria Publike e RM-së.
 
Se të akuzuarit kanë qenë lëndë e sjelljes së dhunshme e konfirmoi edhe Avokati i Popullit. Fillimi i procesit gjyqësor ndiqet me vëmendje nga të afërmit e të akuzuarve dhe opinioni në vend dhe ai në Kosovë, pasi pjesa më e madhe e të akuzuarve janë shtetas të Kosovës.