Maqedoni

Shtyrja eventuale e zgjedhjeve të 24 prillit, Ahmeti: BDI do të dalë me platformë të re

09.02.2016 09:54

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk heq dorë nga zgjedhjet e 24 prillit...

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, nga Dibra bëri me dije që në rast se marrëveshja rinegociohet që të shtyhet data e mbajtjes së zgjedhjeve, atëherë BDI do të dalë me agjendë dhe platformë të re.
 
Sipas Ahmetit, çdo rinegociim mund të ndodh vetëm me dakordim të katër palëve nënshkruese të marrëveshjes dhe faktorit ndërkombëtar.
 
“E drejta e çdokujt është të vendosë veto dhe BDI vendos veto dhe nuk konteston asnjë pjesë të marrëveshjes dhe nuk mbështet asnjë ndryshim apo riparim të ndonjë marrëveshjeje të re. Në qoftë se vjen puna për të rinegociuar, atëherë BDI do të dalë me agjendë dhe platformë të re, e cila do qëndrojë mbi këtë marrëveshje të cilën e kemi nënshkruar dhe dakorduar, që zgjedhjet të mbahen më 24 prill të sanksionuara edhe me ligj dhe të votuara si asnjëherë më parë nga partitë pozitë dhe ato në opozitë”- deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ahmeti tha se partia e tij është përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill, për t’i dhënë fund krizës politike dhe vendi të hapërojë drejt strukturave evropiane.
 
“Përse ne duam që zgjedhjet të mbahen në afatin e paraparë, sepse duam që t’i japim fund krizës, duam që kriza të merr fund, duam që vendi të kap hapin e duhur, sepse na presin punë koxha të rëndësishme, si në qershor kur mbahet Samiti i BE-së, ku vlerësohet Maqedonia mbi të arriturat e saj”- tha Ahmeti.
 
Kreu i BDI-së, Ahmeti, ftoi të gjitha palët të angazhohen në këtë proces zgjedhor, të ndihmohet KShZ në pastrimin e listës zgjedhore, që zgjedhjet të jenë në përputhje me standardet të cilat ka nevojë vendi, por që kërkohen edhe nga BE.
 
MERAL ISMAILI