Botë

ShBA dhe Arabia Saudite, shqyrtohet dërgimi i trupave ushtarake në Siri

09.02.2016 12:07

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të forcave speciale suadite brenda në Siri...

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të forcave speciale suadite brenda në Siri në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili kryen sulme ajrore kundër grupit ekstremist, “Shteti Islamik”.
 
Shefi i Diplomacisë saudite theksoi se “ka diskutim lidhur me kontingjentin e forcave tokësore ose kontingjentit të forcave speciale për të operuar në Siri nga ky koalicion ndërkombëtar, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it, dhe Mbretëria e Arabisë Saudite ka shprehur gatishmëri për dërgimin e forcave speciale në këto operacione, nëse ato ndodhin”.
 
Këto komente ai i ka bërë pasi për dy ditë është takuar me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, në Uashington. Bisedimet e tyre ishin të fokusuara në konfliktet në Siri dhe Jemen. Edhe një zëdhënës i Departamentit amerikan të shtetit i ka konfirmuar bisedimet për “element tokësor” në Siri. 
 
Për katër muaj, sulmet ajrore të Rusisë e kanë ndihmuar regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, në luftën civile tashmë gati pesëvjeçare në Siri. Ushtria siriane gjatë ofensivës së saj madhore po avancon kah kufiri me Turqinë, me mbështetje të Rusisë dhe Iranit.
 
Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka rezistuar shprehjes së përkushtimit për trupa amerikane tokësore në Siri, por vitin e kaluar vendosi t’i dërgojë atje afro 50 pjesëtarë të forcave për operacione speciale.