ShBA, masa për mospërhapjen e virusit “Zika” gjatë verës
Qendrat për kontrollin e sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara mbrëmë e kanë ngritur alarmin e qendrave të operacioneve...
Qendrat për kontrollin e sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara mbrëmë e kanë ngritur alarmin e qendrave të operacioneve të tyre emergjente në nivelin më të lartë për shkak të mundësisë së përhapjes më të gjerë të virusit “Zika” gjatë sezonit të verës lidhur me mushkonjat.
Autoritetet shëndetësore e kanë theksuar nevojën për “përshpejtim të gatishmërisë” derisa virusi po përhapet me të shpejtë në Amerikën Latine, ku mushkonjat mbeten aktive gjatë dimrit.
Ky vendim u bë të njëjtën ditë kur Shtëpia e Bardhë tha se do të kërkojë nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara një fond prej 1.8 miliardë dollarësh për situata emergjente për ta luftuar virusin.
Megjithatë, presidenti amerikan, Barack Obama, tha se virusi “Zika” nuk duhet të shkaktojë panik te njerëzit.
“Lajm i mirë është se ky nuk është si ‘Ebola’”, tha Obama në një intervistë për rrjetin televiziv, CBS News, duke shtuar se “njerëzit nuk vdesin nga ‘Zika’”.
Presidenti Obama theksoi se raportet ndërmjet virusit “Zika” dhe mikrocefalisë, rrethanë në të cilën fëmijët lindin me kokë jonormale të vogël, është dyshues, por nuk është vërtetuar në mënyrë përfundimtare.
