Tërmeti në Tajvan, arrestohet ndërtuesi i kompleksit banesor
Është arrestuar ndërtuesi i pallatit që u shemb nga tërmeti të shtunës në Tajvan...

39 persona humbën jetën në kompleksin e apartamenteve “Golden Dragon” në Tajvan. Rreth 320 të tjerë u shpëtuan, por më shumë se 100 besohet se janë ende nën rrënoja.
Ndërtesa ishte një prej më të dëmtuarave si pasojë e tërmetit, gjë e cila ka ngritur shumë dyshime mbi cilësinë e ndërtimit të saj. Me shpresa të venitura për gjetjen e të mbijetuarve, ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet me pajisje të rënda të teknologjisë së lartë në rrënojat që besohet se fshehin trupa të pajetë.
Qindra ushtarë janë të përfshirë në përpjekjet e shpëtimit, të ndihmuar edhe nga qentë nuhatës dhe vinçat.
Të afërmit e personave që rezultojnë të humbur humbën shpresat pas kalimit të 72 orëve, teksa kërkojnë përgjegjësin e ngjarjes së rëndë. Hetimet do të sqarojnë nëse shembja e ndërtesës erdhi si pasojë e tërmetit apo ka ndikuar edhe kualiteti i dobët i ndërtimit të saj. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
