Botë
OKB jep alarmin: Asad po ekzekuton të burgosurit
09.02.2016 15:28
Raporti i hartuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut pranë OKB-së akuzon drejtpërdrejtë presidentin sirian, Bashar Al Asad...

Raporti i hartuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut pranë OKB-së akuzon drejtpërdrejtë presidentin sirian, Bashar Al Asad, dhe zinxhirin komandues të administratës së tij për krime kundër njerëzimit.
“Shumë të burgosur janë torturuar, disa të rrahur deri në vdekje, të tjerë kanë ndërruar jetë si pasojë e mungesës së ushqimit, ujit të pijshëm dhe përkujdesjes mjekësore”, thotë raporti në të cilin potencohet gjithashtu se edhe forcat e regjimit po ashtu edhe ato opozitare mund të jenë subjekt krimesh lufte.
Këto akuza kanë dalë pas marrjes së dëshmive të qindra dëshmitarëve, që përmbledh të gjithë periudhën e konfliktit që prej nisjes së protestave anti-qeveritare, në mars të vitit 2011.
Hetuesit e OKB-së besojnë se qindra-mijëra kanë gjetur vdekjen në 5 vite konflikt, ndërsa situatën e përshkruajnë si “emergjencë për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut”.
“Të mbijetuarit na kanë ofruar një panoramë tmerrësisht dramatike sa i takon shkeljeve të të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.
Lufta civile në Siri u ka marrë jetën të paktën 250 mijë personave dhe ka zhvendosur rreth 18 milionë të tjerë, 4.6 milionë jashtë vendit dhe 13.5 milionë brenda tij.
GAZMEND REXHEPI
