Shqipëri, koncesionet, PD: 660 mln euro kosto nga buxheti
Në kohën kur qeveria shqiptare po jep një numër të madh shërbimesh me koncesion, Partia Demokratike i kundërshton ato me forcë...

Deputetja, Jorida Tabaku, tha sot se kostoja e 20 koncesioneve të qeverisë Rama po i shkakton shtetit një dëm prej 660 milionë eurosh. Kampion në koncensionet korruptive, sipas saj, mban Ministria e Shëndetësisë.
“Nëse ka një informacion që ne duam që të mbetet sot është 660 mln euro për 900 ditë të koncesionuara, përveç atyre që janë në proces. 220 euro për çdo qytetar shqiptar kosto shtesë, që do të dali nga xhepat e tyre në vitet e ardhshme për të kompensuar këtë humbje që ka në buxhetin e shtetit. Koncesionet që ne po dëgjojmë sot janë të gjithë koncesione që kanë risk për buxhetin e shtetit. Po marr shëndetësinë meqenëse është e prekshme. Ne do të paguajmë nga buxheti i shtetit 338 milionë euro të cilat mund të kishin shkuar për investime në shëndetësi”- tha Jorida Tabaku nga PD.
Më tej, deputetja e PD-së tha se çdo koncesion do të verifikohet ligjërisht nga partia demokratike kur të vijë në pushtet. Qeveria Rama do të japë më koncesion sistemin e mbledhjes së taksave, një numër të madh shërbimesh në sektorin e shëndetësisë si dhe në infrastrukturë. (Luljeta Ndoka, TVM2)
