Maqedoni

Qytetarët: Lehtësim i madh, presim implementimin

09.02.2016 16:17

Pas qarkullimit të lirshëm me Shqipërinë, tani qytetarët e Maqedonisë shumë shpejt do të mund të kalojnë edhe në kufirin e Kosovës vetëm me letërnjoftime. Nga kjo na ndan vetëm ratifikimi i marrëveshjes në parlament...

Dy marrëveshjet e nënshkruara për kalimin e kufirit me letërnjoftim nga Kosova në Maqedoni, si dhe tjetra për hapjen e pikës së re kufitare të përbashkët për udhëtim rrugor ndërkombëtar ndërmjet dy shteteve në Bellanoc–Stançiq, vlerësohen si marrëveshje shumë lehtësuese për qytetarët e të dy vendeve, sidomos për banorët e zonës kufitare, të cilët brenda vitit u duhet ta kalojnë kufirin shumë shpesh, shkaku i lidhjeve familjare, shkollimit etj. Qytetarët presin që kjo marrëveshje të fillojë të implementohet shpejt edhe në praktikë.
 
“Po ajo është shumë në rregull, shumë mirë. Është pritur edhe më herët, por gjithsesi nuk është vonë asnjëherë. Kemi familje në Kosovë, të Kosovës këtu, kështu që shumë në rregull është”- deklaroi një qytetar.
 
“Mirë është, pse jo. Mendoj nuk ka shtampe, por vetëm e tregon letërnjoftimin dhe më lehtë kalojnë udhëtarët”- tha një qytetar. 
 
“Shumë një hap i mirë është, vetëm se është dashur shumë më herët të bëhet. Por, kjo përsëri është mirë. Mundesh të shkosh të vizitosh farefisin pa asnjë problem administrativ”- theksoi një qytetar.
 
Edhe marrëveshja për hapjen e vendkalimit kufitar Stançiq–Bellanoc, që tashmë merr formë ligjore, do t’u mundësojë afro gjysmë milion banorëve të kenë mundësinë e qarkullimit të lirë përmes grykës së Karadakut në drejtim të Kumanovës.
 
Vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiq do të ofrojë komunat e të dy vendeve në kuptim fizik dhe gjeografik dhe ky është qëllimi kryesor i hapjes së korridoreve jo vetëm të qarkullimit të njerëzve, por edhe të mallrave, vlerësojnë autoritetet.
 
Marrëveshjet e nënshkruara pritet tani të hyjnë në procedurë kuvendore dhe pritet të marrin shumë shpejt dritë jeshile nga parlamentet e të dy vendeve. 
 
ERSAN PAJAZITI