Rasti “Tamara”, familjarët: Prokuroria të gjejë fajtorët

09.02.2016 16:31

Një grup qytetarësh së bashku me nënën e të ndjerës, Tamara Dimovska, nga Velesi, me një protestë paqësore para Prokurorisë Publike kërkuan nga autoritetet që ta zbardhin këtë rast dhe t’i identifikojnë përgjegjësit për vdekjen e vajzës...

Protesta e sotme nuk ishte vetëm për Tamarën, por edhe për një tjetër rast që kërkon ndihmë urgjente nga institucionet shtetërore për t’u shëruar.

“Operacioni është shumë i shtrenjtë dhe unë s’kam mundësi për ta paguar. Nëse edhe këtë vit nuk operohet nga unazat e shpinës, atëherë rrezikohet që të ngel në karrocë”- deklaroi prindi i Kanitës, Sadulla Saliu.

“Pas gjithë kësaj që e pashë këtu, e shoh Tamarën time këtu, e cila luste institucionet që t’i ndihmojnë, ndërsa tani e lusim këtë institucion këtu që ta zbardh rastin, që te mos ndodh të kemi një Tamarë të re. Do të bëj gjithçka që mundem që ta ngremë në këmbë këtë fëmijë”- tha nëna e Tamarës së ndjerë, Zhaklina Dimoska.

Prokuroria Publike në një deklaratë dje tha se ka zbatuar një sërë veprimesh në këtë rast. Si të dyshuar paraqiten më shumë persona për veprën penale “punë e papërgjegjshme” në detyrë. Këta persona janë ftuar për të dhënë deklarata para prokurorit publik.

“Hetimi vazhdon në drejtim të zbardhjes së plotë të rastit. Pas përfundimit të seancës do të vijë vendimi i duhur,  për të cilin opinioni do të jetë i informuar në kohë”- thonë nga Prokuroria Publike.

Tamara Dimovska vdiq para një viti, e cila kishte sëmundjen e skoliozës. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)