Ahmeti pret Bejlin në Tetovë: Qytetarët të vlerësojnë ofertat, jo shpifjet
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, priti në selinë partiake në Tetovë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Xhes Bejli...

Ata diskutuan për krizën aktuale politike në vend, zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, si dhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Edhe në këtë takim, Ahmeti ripërsëriti rëndësinë e marrëveshjes së arritur mes katër liderëve dhe kërkesën e BDI-së për mosndryshimin e datës së zgjedhjeve, ashtu si paraprakisht liderët janë dakorduar.
Ahmeti u zotua se BDI do të kontribuojë për atmosferë konstruktive zgjedhore, do të respektojë punën transparente dhe të paanshme të prokurores speciale. Por, sipas tij, shqetësues është fakti se disa politikanë të papërgjegjshëm kanë shpërndarë përgjime në duar të kriminelëve dhe fabrikuesve me qëllim të përgatitjes së falsifikimeve dhe montimeve për qëllime të ulëta.
“Këto zgjedhje janë me rëndësi të jashtëzakonshme, prandaj liderët partiak duhet të tregojnë përgjegjësinë më të lartë për të ardhmen e vendit, qytetarët nuk duhet të bien pre e fushatave të shpifjeve dhe të akuzave, por të vlerësojnë ofertat për zhvillim, stabilitet dhe siguri”, ka potencuar Ahmeti gjatë takimit me ambasadorin amerikan, Xhes Bejli.
