Maqedoni

Personat me hendikep kërkojnë asistencë personale

09.02.2016 16:41

“Ka qenë e nevojshme të kem sot asistencë derisa kam ardhur në këtë takim, por rrethanat në këtë shoqëri nuk të mundësojnë një gjë të tillë”...

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve “Shpresa”, Sefer Hiseni, jo gjithmonë mund të mbërrijë në kohë dhe në destinacionin e duhur për arsye se ka pengesa të vogla fizike. Ashtu ndodhi edhe sot.
 
Me shumë vështirësi arriti për të diskutuar në debatin kushtuar “Serviset për asistencë personale-mundësi e jetës së pavarur për personat me hendikep”.
 
Si shumë të tjerë, ai është i mendimit se asistenca personale do t’ua lehtësonte jetën e tyre të përditshme.    
                  
“Do të kisha nevojë të kem asistencë gjatë mëngjesit kur kam nevojë të udhëtoj deri në vendin e punës, mandej prej vendit të punës deri në shtëpi”- tha kryetar i Shoqatës së Invalidëve “Shpresa”, Sefer Hiseni.
 
“Duhet të konceptohet fillimisht ideja për asistencë personale, të sqarohen detajet dhe gjithë kjo mandej të futet në kornizë ligjore dhe më pas e njëjta të implementohet në praktikë me shumë sukses”- theksoi kryetari i Sh. I. “Polio Plus”, Zvonko Shavrevski. 
 
Për dallim nga ne, personat me hendikep në Austri veç më 5 vite me radhë i shijojnë lehtësitë e zbatimit në praktikë të asistencës personale. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës Sociale të Austrisë, të cilët kishin ardhur për t’i treguar eksperiencat e tyre në këtë drejtim, thanë se e njëjta është më se e domosdoshme për vendin tonë.   
 
“Nuk duhen shumë mjete, por nevojitet më shumë përkushtim prej të gjithëve. Ajo që duhet bërë tani në Maqedoni është ndryshimi i legjislacionit dhe sigurimi i mjeteve financiare për të implementuar serviset sociale për këta persona”- deklaroi përfaqësuesi i MPPS të Austrisë, Harald Fugger.
 
Autoritetet e vendit janë të mendimit se kjo ide është e realizueshme edhe me angazhimin e personave të papunë të regjistruar në Agjencinë për Punësim dhe me shfrytëzuesit e ndihmës sociale.
 
“Për shembull në Agjencinë për Punësim ka shumë persona që kërkojnë punë, ata duke i trajnuar për nevojat e personave me aftësi të kufizuara mund të angazhohen. E njëjta vlen edhe për shfrytëzuesit e ndihmës sociale, në vend që të rrinë dhe të marrin para në shtëpi, ata mund të punësohen në këtë drejtim, duke u dalë në ndihmë personave me aftësi të kufizuara”- u shpreh kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Diskriminim, Dushko Minovski.
 
Asistenca personale për personat me hendikep në vendet evropiane realizohet edhe nga ana e pushtetit lokal.  
 
REXHEP QAMILI