Ministria e Shoqërisë Informatike, Kiracovski paralajmëron padi ndaj Tomovskës

09.02.2016 16:56

Përmes një urdhri me shkrim, ministrja e Shoqërisë Informative dhe Administratës, Marta Arsovska Tomovska, ua ka ndaluar të punësuarve që t’i japin dokumente zëvendësministrit plotësues, Aleksandar Kiracovski...

Sipas zëvendësministrit, ministrja Tomovska ka kërkuar të ndalohet dhënia e çfarëdo dokumenti Kiracovskit, ose punëtorëve të tij dhe vlerëson se me këtë ministrja kryen vepër penale, ndërsa në këtë i përfshin edhe të punësuarit.

“Theksoj se ndaj ministres, Arsovska Tomovska, do të ngrejë kallëzim penal nëse nuk e tërheq menjëherë shkresën. Ministrja me vetë këtë shkresë kryen vepër penale dhe në këtë i përfshin edhe të punësuarit”- deklaroi zëvendësministri plotësues i ShIA-së, Aleksandar Kiracovski.

Në shkresën që ministrja Tomovska e dorëzoi deri te të punësuarit, theksohet se së shpejti do të vendosë procedurë për ekspertizë në dokumentacionin që ka kërkuar Kiracovski. Por, potencon se ekspertiza do të kryhet në prezencën e zyrtarëve, në zyrë të posaçme, ndërsa Kiracovski nuk do të mund t’i kopjojë dokumentet, t’i fotografojë, ose t’i nxjerrë jashtë Ministrisë.

Sipas Kiracovskit, Ligji për Qeveri thotë qartë se zëvendësministri plotësues ka të drejtë në qasje të pakufizuar deri te të gjitha aktet, dokumentet dhe informacionet që i ka në dispozicion ministri dhe me vetë atë Tomovska nuk mund dhe as që guxon të shkruaj procedura dhe ta kufizojë dorëzimin e dokumentacionit. (Gazmend Rexhepi, TVM2)