Maqedoni
Fillon seanca gjyqësore për rastin e Kumanovës, 29 të akuzuarit deklarohen të pafajshëm
09.02.2016 17:45
Në Gjykatën Themelore Shkupi 1 filloi seanca për 29 të akuzuarit e rastit “Lagja e trimave”...

Pas leximit të aktakuzës, prokurori pohoi se ka dëshmi se 29 të akuzuarit kanë kryer veprën penale “terrorizëm dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste”.
Por, këtë nuk e pranuan të akuzuarit, ku pa përjashtim të gjithë deklaruan se nuk pranojnë akuzat me të cilat ngarkohen dhe se janë të pafajshëm.
Sipas dëshmive hetimore që posedon prokurori publik, ky grup ka qenë i ndarë në tre nivele, komanda e cila ka qenë me shtetas të Kosovës, logjistika me shtetas të Maqedonisë dhe anëtarë të organizatës.
“Të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprën për të cilën ngarkohen, e ajo është vepra penale ‘terrorizëm dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste’”- tha avokati, Asmir Alispahiç.
Avokati, Naser Raufi, tha se sërish është kërkuar që këtë rast ta merr Prokuroria Speciale, pasi që ky rast ka ndodhur për të defokusuar opinionin nga të ashtuquajturat “bomba” të opozitës.
“Sipas Ligjit për PS, kjo lëndë bie në kompetencë të kësaj prokurorie, pasi tash shpejt kishte deklarata të tilla se ka biseda të përgjuara. Nuk dyshoj, por jam i sigurt se krejt kjo është bërë për të defokusuar opinionin, pasi edhe intervali kohor përshtatet me të ashtuquajturat ‘bombat’ e liderit të opozitës”- theksoi avokati, Naser Raufi.
Familjarët e të akuzuarve thonë se ky rast është i montuar dhe se nuk presin gjykim të drejtë.
“Ligji në një shtet të kriminalizuar deri në fund, këtë se them unë e as familjarët tanë, por e thonë edhe qytetarët maqedonas, prandaj nga një shtet i kriminalizuar të presësh drejtësi është anomali. Megjithatë ne e presim për familjarët tanë këtë”- theksoi një familjar.
“Jo more çfarë drejtësie, ku ka këtu drejtësi me marrë të pafajshëm djalin. Kur problematik nuk e kemi pasur atë djalë”- u shpreh familjarja e Fadil Elshanit, Arta Kuçi.
Vazhdimi i seancës është caktuar më 11 shkurt, ndërsa për shkak të rastit të ndërlikuar seancat do të jenë më intensive, me ç’rast janë caktuar edhe 6 seanca për muajin mars.
SANIJE DURAKU
