Maqedoni

BDI prezenton projektet në Kërçovë

10.02.2016 09:08

Me moton “Bashkë realizojmë” Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dje ka bërë prezantimin e projekteve të realizuara në Komunën e Kërçovës dhe rrethinën e saj...

Të pranishëm në këtë takim ishin kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, nënkryetari dhe koordinatori i zonës së 5 zgjedhore, Izet Mexhiti, shefi i shtabit qendror Bekim Neziri, zëvendëskryeministrat Musa Xhaferri dhe Fatmir Besimi, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, ai i Ambientit jetësor Nurhan Izairi, deputetë dhe funksionarë tjerë partiak.
 
Fillimisht, shefi i shtabit komunal në Kërcovë, Musli Musliu theksoi se shtabi komunal është vënë në dispozicion për të arritur fitore dhe fal vizionit të liderit të BDI-së Ali Ahmeti kemi shënuar fitore që nga viti 20012.
 
Nënkryetari i BDI-së Izet Mexhit tha se BDI nuk njeh humbje por vetëm fitore në të gjitha ciklet zgjedhore. Mexhiti theksoi se kur BDI i organizon zgjedhjet kemi zgjedhje demokratike, fushat të qetë dhe korrekte me dialog, qetësi, ndërsa kur të tjerët i organizojnë zgjedhjet kishte vetëm frik, tensione te shqiptarët. Mexhiti shtroi se BDI para elektoratit del me program zgjedhor për të kërkuar besimin që të mund ti realizojë të gjitha projektet që janë pjesë e platformës.
 
Ndërsa duke iu drejtuar të pranishmëve, zëvendëskryeministri Fatmir Besimi u shpreh se prioritet i yni është anëtarësimi i vendit në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes së djeshme në mes Kosovës dhe Maqedonisë për kalimin e kufirit me letërnjoftime është e arritur e madhe. Ai përmendi edhe projektet që janë duke u realizuar në këtë komunë dhe rrethinën e saj. Zëvendëskryeministri Besimi tha se në ndërtim të sipër është autostrada Kërcovë-Strugë pjesë e korridorit 8.
 
“Ky projekt prej 400 milion euro është pjesë e programit zgjedhor të BDI-së si vazhdim i realizimit të korridorit 8. Gjithashtu edhe kalimi me letërnjoftime të kufirit me Kosovën është premtim i yni parazgjedhor që bëhet realitet. DO të ndërtojmë edhe autostradën Gostivar-Kërçovë ku duhet të ndryshon traseja e kësaj rruge  dhe projekti do të kushton 370 milion euro. Sa i përket këtij projekti jemi dakorduar me Bankën botërore të financon këtë rrugë si dhe shumë projekte tjera”, tha Besimi.
 
Shefi i shtabit zgjedhor qendror, Bekim Neziri tha se sonte jemi në Kërçovë për të raportuar, sepse jemi politikanë, dhe kjo është puna jonë, premtojmë dhe japim llogari për atë që kemi bërë.
 
“Politikanët janë përfaqësues të njerëzve, të popullit. Njëri prej qëllimeve të tyre në jetë është të bëjnë vendin e tyre më të begatë, më të sigurte dhe ekonomikisht më të zhvilluar. Që nga dalja e BDI-së në skenën politike, para 14 viteve, ne gjithë së bashku me në krye liderin tonë Ali Ahmeti, këtë e bëjmë. Kemi lëshime, kemi mangësi, por një gjë duhet të jetë e qartë-kemi qëllimin, kemi nijetin e mirë, dhe ai është të bëjmë popullin tonë, popull evropian, të zhvilluar dhe të barabartë, duke luftuar dhe eliminuar çdo ditë padrejtësitë që na janë bërë gjatë dekadave të kaluara”, tha Neziri.
 
Ai theksoi se të gjitha shtabet komunale janë formuar dhe të gjitha aktivistët e BDI-së punojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.