Botë

SHBA, zgjedhjet në New Hampshire fitojnë bindshëm Trump dhe Sanders

10.02.2016 09:26

Republikani Donald Trump dhe demokrati Bernie Sanders kanë korrur një fitore të bindshme në zgjedhjet paraprake në New Hampshire...

Miliarderi amerikan mori 34 përqind të votave, më shumë se dyfishin e rivalit të tij John Kasich, e cili mori 16 përqind të votave.
 
Bernie Sanders ka mundur kundërshtaren e tij të fortë Hilari Klinton me një diferencë të madhe votash.
 
Ndërkohë Ted Cruz që kryesori garën e republikanëve në zgjedhjet e Ioëas u radhit i treti se bashku me senatorin e Floridas Marco Rubio dhe ish senatorin Jeb Bush.
 
Në fjalimin e tij të fitores manjanti amerikan Trump uroi senatorin Sanders për rezultatin, por shtoi se ai do të shkatërrojë vendin. 69-vjeçari ka premtuar deportimin e miliona emigrantëve që jetojnë në SHBA në mënyrë të paligjshme; ka premtuar gjithashtu ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën dhe ndalimin e përkohshëm të të gjithë muslimaneve që hyjnë në SHBA.
 
Kurse fituesi i demokratëve Sanders ka premtuar çrrënjosjen e pabarazisë ekonomike dhe universitete falas. Clinton e uroi Sanders për fitoren, por tha se ajo do të vazhdojë të luftojë për çdo votë në fushatë.
 
New Hampshire është shteti i dytë që zgjedh delegatët, pas zgjedhjeve të mbajtura një javë më parë në Ioua, një proces ky i rëndësishëm për të gjithë kandidatët të cilët konsolidojnë figurën e tyre për të garuar në sfidat e ardhshme që mbahen në Karolinën e Jugut dhe Nevada.
 
LEONORA KALIQI