Maqedoni

Ministri çek i Punëve të Jashtme për vizitë në Maqedoni

10.02.2016 09:46

Ministri çek i Punëve të Jashtme Lubomir Zaoralek sot arrin për vizitë pune në Maqedoni në suaza të së cilës do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Popovski...

Ashtu siç kumtoi MPJ-ja çeke qëllimi i vizitës është të përforcohet bashkëpunimi bilateral në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme, personalisht të njoftohet me situatën në rajonet e përfshira me krizën migruese, si dhe të këmbehen qëndrime të çështjeve evropiane dhe ndërkombëtare dhe të jepet përkrahje për përpjekjet e Maqedonisë në rrugën drejt integrimit evropian dhe transatlantik.
 
Popovski dhe Zaoralek, ashtu siç është paralajmëruar, do të mbajnë fjalime me rastin e 25-të vjetorit të themelimit të grupit të Vishegradit në Info Qendrën e BE-së.
 
Është paraparë Zaoralek zyrtarisht ta hapë ekspozitën lidhur me historinë e bashkëpunimit të vendeve  nga katërshja e Vishegradit, në të cilën përveç anëtarëve të korit diplomatik do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e ekipit 27-të anëtarësh të policisë së Çekisë, të cilët nga 4 shkurti deri më 19 mars do të ndihmojnë në kufirin e Maqedonisë me Greqinë në zgjidhjen e krizës migruese.
 
Në suaza të vizitës ai, së bashku me nikoqirin e tij, Poposki do të mbajnë fjalime në biznes forumin që do të mbahet në MPJ.
 
Ministri çek nga data 8 deri më 11 shkurt gjendet në mini turne në Turqi, Maqedoni dhe Greqi./Mia