Botë
IOM: 409 emigrantë të mbytur në 2016 në Mesdhe
10.02.2016 12:47
Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin ka bërë të ditur se 409 persona kanë humbur jetët e tyre që prej fillimit të këtij viti, teksa përpiqeshin të kalonin për në Europë përmes detit Mesdhe...

Mbi 3/4-tat e vdekjeve të sivjetshme kanë ndodhur në itinerarin tepër të shkurtër të Mesdheut lindor, pikërisht mes Turqisë dhe Greqisë, ndërkohë që në të kaluarën numri më i madh i viktimave është shënuar në itinerarin e Mesdheut qendror, atë nga Libia drejt Italisë apo edhe Maltës.
Deklarata e IOM-së vjen vetëm dy ditë pasi Rojet Bregdetare të Turqisë njoftuan për vdekjen e 27 emigrantëve, pas përmbysjes së varkës me të cilën udhëtonin në gjirin e Edremit, teksa përpiqeshin të mbërrinin në ishullin grek të Lesbosit. Vetëm pak ditë më parë, EUROPOL-i njoftoi se, rreth 10 mijë refugjatë të mitur e të pashoqëruar janë zhdukur pasi mbërritën në Europë.
Në 6 javët e para të 2016, numri i refugjatëve që kanë mbërritur në Europë është 10-fishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo pasi , për shkak të kohës së keqe, trafikantët që transportojnë refugjatët me varka nga Lindja e Mesme drejt Europës i kanë ulur çmimet.
Që prej 1 janarit, IOM ka bërë të ditur se në Europë kanë mbërritur 76 mijë njerëz në rrugë detare, gjë që përllogaritet në rreth 2.000 të tillë në ditë.
Lufta nuk është e vetmja arsye që i nxit refugjatët për t’u larguar nga vendet e tyre, por edhe frika se Europa mund t’i mbyllë përfundimisht dyert.
