Maqedoni

RDK: Në zgjedhje nuk mund të shkohet me strehim politik

10.02.2016 13:00

Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se partitë politike, pa përjashtim, kanë strehuar individ dhe grupacione të ndryshme nën ombrellën e logos partiake...

Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se partitë politike, pa përjashtim, kanë strehuar individ dhe grupacione të ndryshme nën ombrellën e logos partiake dhe liderëve të tyre, edhe pse një gjë e tillë nuk është dashur të bëhet.
 
Koha e strehimit politik të këtyre individëve dhe grupacioneve ka përfunduar dhe partitë politike duhet të përfundojnë me këtë strehim, sepse jo vetëm që bëhet manipulim me popullatën, por në të njëjtën kohë çmimin e këtij strehimi do ta paguaj partia politike. 
 
RDK vlerëson se partitë politike shqiptare në pushtet, dhe jashtë tij,  në vazhdimësi kanë strehuar një numër të madh të figurave të ndryshme publike, të cilët në vend se të thirren në emër të veprimit dhe sjelljes së tyre politike, edhe më tutje vazhdojnë të thirren në emër të liderit dhe partisë politike.
 
RDK vlerëson se tani janë pjekur të gjitha kushtet e nevojshme që secili të vishet me petkun e vërtetë të sjelljes politike, dhe jo të strehohen pas logos partiake apo liderit të partisë.
 
RDK vlerëson se në zgjedhje mund të shkohet vetëm me përfundimin e strehimit politik të individëve dhe grupacioneve të ndryshme që kanë vepruar dhe vazhdojnë edhe më tutje të veprojnë në kuadër të partive të ndryshme respektive.
 
Ka ardhur koha e pastrimit dhe çlirimit të partive politike, dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të flasim për demokratizimin e partive politike, thuhet në kumtesën e RDK-së.