Mourinho: Stoli i Man. United është i imi!
Jose Mourinho do të marrë drejtimin e Manchester United...

Emërimi është çështje kohe, ndërsa konfirmimet janë të shumta. Pasi drejtuesit e Djajve të Kuq nuk i mohuan kontaktet me stafin e portugezit, nga tabloidi “Mirror” vjen një tjetër detaj.
Ish-trajneri i Chelsea-t, Realit dhe Interit i ka rrëfyer miqve të afërt se është i sigurt që në fund të sezonit do të zëvendësojë Louis Van Gaal në krye të stolit në Old Trafford.
Lajmi i ngjashëm u shfaq edhe në kolonat e Daily Mail, që flet për “punë të mbaruar”. Mourinho, i cili ka mbetur pa punë prej shkarkimit nga Chelsea në Dhjetor të vitit 2015, nuk e ka fshehur asnjëherë ëndrrën për të drejtuar Manchester United.
Zv.presidenti i Djajve të Kuq, Ed Woodward, i cili i rezistoi tundimit për shkarkimin e Van Gaal, e ka vendosur se prej sezonit të ardhshëm, tekniku holandez nuk do të jetë më në krye të skuadrës.
Pavarësisht se Van Gaal ka edhe një vit kontratë, ecuria e skuadrës gjatë dy viteve të punës së tij ka lënë shumë për të dëshiruar.
Gjatë ditëve të kaluara, Mourinho rrëfeu se po pret me padurim ti kthehet punës dhe me Pep Guardiolën në stolin e Manchester City, portugezi nuk mund të lëjë pa shfrytëzuar faktin se do të kthehet të sfidojë rivalin e përjetshëm.
