Shqipëri : Miratohet byroja e hetimit, pritet që edhe deputetët të vihen nën hetim

10.02.2016 15:35

Qeveria shqiptare miratoi ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, institucion i cili ka ndezur mjaft debate javët e fundit në Tiranën zyrtare...

Institucioni do të jetë në varësi të policisë dhe do të ketë në përbërjen e tij efektivë policie dhe një prokuror.

Ai do të hetojë zyrtarët e lartë, ndërsa mësohet se do të jetë hapi i parë për të realizuar dekriminalizimin e parlamentit shqiptar, ku ndodhen mjaft deputetë me të kaluar kriminale.

Lideri i Opozitës Lulzm Basha e përshëndeti këtë vendim, ndërsa tha se dekriminalizimi duhet të fillojë me largimin e Ramës. Opozita gjithsesi  paralajmëroi se nuk do ta miratojë në parlament këtë byro, nëse nuk është bazuar në rekomandimet e komisionit të Venecias.

“Është versioni i Byrosë nën Prokurorinë, siç e parashikon ‘Venecia’ në rekomandimin 90? Nëse po, atëherë iu përgjigjën ftesës sonë, ne i përgëzojmë dhe jemi gati të bashkojmë votat që nesër. Nëse jo, atëherë ky është një truk për të fituar kohë dhe për t’u hedhur hi syve publikut dhe ndërkombëtarëve” – tha kryetari i  PD-së, Lulzim Basha.

Edhe lëvizja Socialiste për Integrim e vlerësoi vendimin e qeverisë për ngritjen e byrosë kombëtare të Hetimit.

“Me të gjithë dashamirësinë dhe të gjithë durimin e duhur, mbështesim draftin e qeverisë që merr vendime kolegjiale dhe gjithashtu mbështesim edhe ecjen në rrugën e miratimit politik të strukturës dhe të vënies në funksionim të saj” – tha Petrit Vasili nga LSI.

Me ngritjen e Byrosë së hetimit, pritet që edhe deputetët t’u nënshtrohen hetimeve, pavarësisht nga petku i zyrtarit. (Luljeta Ndoka, TVM2)