Në Gjykatën Themelore në Shkup vazhdon procesi gjyqësor për rastin e Kumanovës
Procesi gjyqësor kundër 29 personave të akuzuar për ngjarjet në Lagjen e Trimave në maj të vitit të kaluar, i filluar para dy ditësh, ka vazhduar edhe sot në Gjykatën Themelore në Shkup...

Të akuzuarit ngarkohen për veprat "terrorizëm" dhe "organizim terrorist", akuzë që kundërshtohet nga pala mbrojtëse.
Duke e elaboruar padinë, prokurori publik, Naum Panovski, në fillim të procesit gjyqësor tha se Prokuroria do të dëshmojë se të akuzuarit kanë qenë pjesëmarrës në përleshjet në Kumanovë, si dhe në sulmin mbi stacionin policor në Goshincë.
Sipas padisë, një pjesë e të akuzuarve më 21 prill të vitit të kaluar e kanë sulmuar stacionin policor në Goshincë dhe e kanë marrë gjithë armatimin për mbështetje logjistike.
Sipas Prokurorisë, struktura e grupit të armatosur ka qenë e përbërë nga tre nivele. Niveli i parë ka qenë struktura komanduese, në të cilën pjesa më e madhe janë shtetas të Kosovës, niveli i dytë ka qenë logjistika, e cila ka siguruar ndihmë dhe strehim për pjesëmarrësit në sulmin dhe pjesa më e madhe e tyre kanë qenë nga Maqedonia, ndërsa në nivelin e tretë kanë qenë kryerësit, të cilët kanë qenë nga Kosova.
Mbrojtja në fillim të procesit gjyqësor kërkoi që këtë rast ta ndërmarrë Prokuroria Speciale Publike. Më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar, në Lagjen e Trimave të Kumanovës një grup i armatosur u përlesh me forcat e sigurisë. Në këmbim-zjarrin humbën jetën dhjetë persona nga grupi i armatosur dhe tetë policë, ndërsa dyzet policë mbetën të lënduar.
