Botë
Siri, lufta në Alepo, 50 mijë persona braktisin shtëpitë
11.02.2016 12:58
Lufta në zonën e Alepos ka detyruar 50 mijë njerëz të lënë shtëpitë e tyre, teksa situata humanitare në provincën siriane është përkeqësuar me shpejtësi të madhe...

Sipas Kryqit të Kuq, jetesa atje është e pamundur, ku mijëra banorë kanë mbetur pa ujë, pa energji, pa ushqime, pa ilaçe.
Në një deklaratë, Kryqi i Kuq njofton se rrugët e furnizimit me ndihma janë ndërprerë si pasojë e luftimeve, teksa qeveria siriane, mbështetur nga fuqia ajrore ruse, po përpiqet të rimarrë rajonin që aktualisht kontrollohet nga rebelët. Por, nuk përfundon me kaq.
Të zhvendosurit po jetojnë në kushte të vështira në kampe të ngritura posaçërisht, por me temperaturat e ulëta çdo ditë për ta kthehet në betejë, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit. Organizata “Mjekët pa kufij” ka paralajmëruar se betejat që po zhvillohen në zonat pranë kufirit turk kanë çuar sistemin shëndetësor në kolaps.
Turqia ka marrë tashmë më shumë se 2.5 milionë refugjatë sirianë gjatë pesë viteve të fundit dhe thotë se do të vazhdojë ta bëjë këtë në një “mënyrë të kontrolluar”, duke refuzuar strehimin brenda territorit të saj të 30 mijë refugjatëve siç i kërkon Bashkimi Evropian.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, më shumë se 500 persona janë vrarë që kur sulmi ka filluar në fillim të muajit. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbrëmë, fuqitë botërore përsëri i kërkuan Rusisë të ndalojë kryerjen e sulme ajrore në mbështetje të aleatit të saj, Sirisë.
Rusia thotë se sulmet e saj kanë për qëllim eliminimin e terroristëve dhe jo grupeve opozitare siç perëndimi akuzon.
GAZMEND REXHEPI
