Maqedoni
BE e shqetësuar për fondet evropiane, projekt kundër mashtrimeve financiare
11.02.2016 13:23
Me ndihmën e Bashkimit Evropian do të trajnohen dhe përforcohen institucionet shtetërore të vendit për t’i parandaluar mashtrimet financiare dhe keqpërdorimet me fondet evropiane...

Kjo parashihet me tuining projektin “Mbështetje për parandalim efikas dhe luftë kundër manipulimeve dhe parregullsive me fondet e BE-së".
Qëllimi kryesor i projektit është të përforcohet korniza ligjore strategjike dhe të ndryshohet metodologjia e deritanishme e punës së institucioneve të vendit kundër keqpërdorimeve të fondeve evropiane.
“Lufta kundër keqpërdorimeve financiare dhe parregullsive me fondet evropiane nuk duhet të shihet vetëm si një reformë institucionale, por si një kulturë për të punuar dhe vepruar në të ardhmen. Parandalimi dhe ndjekja e fondeve evropiane këtu duhet realizuar nëpër të gjitha institucionet shtetërore që kanë kontakt drejtpërsëdrejti me fondet e BE-së”- deklaroi përfaqësuesi i BE-së në Maqedoni, Mauro Di Veroli.
“Rezultatet e këtij projekti do të kontribuojnë për t’i detektuar mangësitë eventuale të institucioneve tona dhe do të mundësojë njëkohësisht të përcaktohen masa dhe veprime të tjera më efikase për të përmirësuar gjendjen në fjalë”- tha ministri i Financave, Igor Dimitrov.
BE ka shumë pritje prej këtij projekti. Ata duan të dinë saktë se ku dhe si shpenzohen fondet e tyre në Maqedoni dhe dëshirojnë transparencë totale në këtë proces. Nga policia financiare pohojnë se ka pasur parregullsi në shfrytëzimin e fondeve evropiane në vend.
“Nuk e di shumën e përgjithshme vjetore të fondeve evropiane që hyjnë në Maqedoni, por di të them se deri më tani në këtë proces janë vërejtur disa parregullsi të vogla me fondet evropiane”- theksoi Aleksandar Trgaçevski nga Drejtoria e Policisë Financiare.
Projekti do të realizohet në gjashtë muajit e ardhshëm dhe i njëjti kushton 250 mijë euro.
REXHEP QAMILI
