Maqedoni

Fluksi i migrantëve, NATO gati të patrullojë Egjeun

11.02.2016 14:37

NATO është pajtuar që të angazhohet në patrullim përgjatë detit Egje, që t’i pengojnë trafikantët e migrantëve...

Njoftimi vjen një ditë pasi Gjermania, Greqia dhe Turqia kanë paraqitur një kërkesë të tillë në takimin e ministrave të Mbrojtjes në Bruksel.
 
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se anijet e NATO-s “pa u vonuar” janë vendosur në ujërat midis Turqisë dhe Greqisë.
 
Por, ai ka sqaruar se misioni nuk do ta ketë për qëllim që t’i ndalojë anijet apo t'i kthejë refugjatët nga kanë ardhur, por të kontribuojë në “informata të rëndësishme për mbikëqyrjen e trafikimit të emigrantëve”.
 
Njëherit Ambasada e Sllovenisë ka demantuar informacionet se në takimin e drejtorëve të policive të Sllovenisë, Austrisë, Kroacisë, Serbisë dhe Maqedonisë në Shkup është arritur marrëveshje për transportim të përbashkët të migrantëve nga Maqedonia drejt kufirit austriak, përkatësisht deri në Austri.
 
"Nisma sllovene ishte që në tërë rrugën ballkanike duhet të zbatohen masa të vetme për ulje të qarkullimit dhe të sigurohen dokumente të vetme për regjistrim/identifikim, të cilat do të jepen në shtetin e parë në hyrje", thuhet në kumtesën e Ambasadës së Sllovenisë në Maqedonisë.
 
Ndryshe, në 24 orët e kaluara në Maqedoni kanë hyrë 1.817 shtetas të huaj. Ndërsa prej fillimit të këtij viti në Maqedoni kanë hyrë 74 mijë e 690 shtetas të huaj, por kërkesë për njohje të së drejtës së azilit kanë parashtruar vetëm dhjetë persona, edhe atë shtatë nga Afganistani dhe tre nga Siria.
 
Organizata Ndërkombëtare për Migrim ka bërë të ditur se më shumë se 400 migrantë kanë vdekur duke u përpjekur për ta kaluar detin Mesdhe.
 

GYLTENE SINANI