Maqedoni
Të akuzuarit në rastin “Lagja e Trimave”: Mirsadi dhe Begu u vranë pas arrestimit
11.02.2016 15:26
Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj, Valon Kabashi dhe Samit Kastrioti janë dorëzuar të gjallë dhe janë ekzekutuar më pas...

Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj, Valon Kabashi dhe Samit Kastrioti janë dorëzuar të gjallë dhe janë ekzekutuar më pas, ka deklaruar para trupit gjykues, Rufi Dogani, njëri nga 29 të akuzuarit në rastin e Lagjes së Trimave, gjatë vazhdimit të sotëm të seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore Shkupi 1.
Një deklaratë të tillë nga të akuzuarit e konfirmoi edhe njëri nga avokatët e angazhuar në këtë rast, Mefail Asllani.
“Njëri nga klientët e mi, pasi sipas rregullores mundet edhe klienti të merr fjalë hyrëse, sot tregoi se pasi që janë dorëzuar Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Samit Kastrioti, Beg Rizaj kanë qenë të gjallë dhe sipas fjalëve të klientit janë ekzekutuar në stacionin e policor ku janë dorëzuar”- deklaroi avokati, Mefail Asllani.
Ndërsa Nasuf Bekiri, një tjetër i akuzuar, para gjykatëses, Verka Petkovska, tha se nuk e pranon akuzën për terrorizëm dhe vlerëson se bëhet fjalë për rast të montuar me prapavijë politike.
Ai kërkoi hetim ndërkombëtar për rastin. Edhe avokatët mbrojtës këmbëngulin se ky rast nuk ka të bëjë me terrorizëm dhe kërkojnë që kualifikimi juridik “terrorizëm dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste” të hiqet nga aktakuza. Sipas avokatëve, rasti duhet trajtuar nën akuzën për parandalim të personit zyrtar të kryej detyrë zyrtare, e jo vepër penale, terrorizëm.
“Vlerësoj se në këtë proces, si palë mbrojtëse, do të dëshmojmë se nuk janë plotësuar elementet kryesore të veprës me të cilën ngarkohen gati të gjithë të akuzuarit. Nga reagimet e të akuzuarve, por edhe nga deklaratat e tyre kuptohet se ky incident ka pasur një prapavi tjetër dhe ne këtë do ta dëshmojmë gjatë seancave tjera”- tha avokati, Lupço Veselinovski.
“Prokuroria për krim të organizuar me çdo kusht kërkon që të jetë termi ‘terrorizëm’, ku ne nuk pajtohemi dhe nuk shohim elemente që me këtë term të akuzohen. Dhe mendoj që në seancat e ardhshme të tregojmë që terrorizmi nuk mund të jetë në këtë akuzë, sepse nuk ka elemente për vepër terrorizëm nga ky grup që veproi në Kumanovë”- theksoi avokati, Mefail Asllani.
Gjykimi për rastin “Lagja e Trimave” ka filluar më 9 shkurt, ndërsa në këtë rast akuzohen 29-të persona të arrestuar në përleshjen e armatosur më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar në Lagjen e Trimave në Kumanovë, me ç’rast humbën jetën 10 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe 8 policë.
SANIJE DURAKU
