Stamboll, sulmohen zyrat e dy gazetave pro-qeveritare
Dy grupe agresorësh të paidentifikuar në Stamboll kanë hedhur bomba molotovi dhe kanë qëlluar me armë ndaj zyrave të dy gazetave pro-qeveritare në Turqi...
E përditshmja “Yeni Safak” njoftoi se zyrat e saj dhe ato të “Yeni Akit” u sulmuan, por për fat të mirë nuk u regjistruan viktima.
Sipas burimeve policore, katër agresorë të maskuar sulmuan ndërtesën e “Yeni Safak” me shishe me benzinë, por mbërritja në kohë e zjarrfikësve shmangu intensifikimin e zjarrit.
Pas kësaj, forcat e rendit rrethuan ndërtesën. Dy gazetat mbështesin partinë në pushtet të presidentit, Recep Tayyip Erdogan.
Ndërtesat e tyre janë rreth 20 km larg njëra-tjetrës, ndërsa sulmet ndaj tyre ndodhën thuajse në të njëjtën kohë, në orët e para të së enjtes. Xhamat e dritareve të godinave janë thyer si pasojë e të shtënave.
“Gëzhoja të shumta plumbash u gjetën në të dyja vendet e ngjarjeve”, deklaruan zyrtarë të policisë.
Autoritetet janë vënë në kërkim të agresorëve. Për momentin, asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmeve. Shtatorin e kaluar, protestues pro-qeveritarë sulmuan zyrat e së përditshmes “Hurriyet”, duke e akuzuar se shtrembëronte deklaratat e presidentit Erdogan.
