Maqedoni

Fjalori ofendues i Llatasit ndaj turqve, reagime nga ambasada, politika dhe qytetarët, reagon edhe Këshilli i Etikës dhe Agjencia e Mediave

11.02.2016 16:31

Ambasada e Turqisë në Shkup, deputetët turq në Kuvendin e Maqedonisë, por edhe qytetarët e përkatësisë turke...

Ambasada e Turqisë në Shkup, deputetët turq në Kuvendin e Maqedonisë, por edhe qytetarët e përkatësisë turke kanë reaguar ashpër ndaj fjalorit ofendues ndaj Turqisë dhe popullit turk nga ana e kryeredaktorit të televizionit “Sitel”, Dragan Pavloviq-Llatas.
 
Ambasadori i Turqisë në Maqedoni ka thënë se me keqardhje e sheh shprehjen e shëmtuar ndaj popullit turk dhe Republikës së Turqisë. 
 
“Dënojmë ashpër fjalët e kryeredaktorit të televizionit ‘Sitel’, Dragan Pavloviq-Llatas. Shprehjet e tij janë të turpshme dhe të papranueshme. Këtë shprehje të urrejtjes dhe armiqësisë ia kthejmë atij i cili edhe më parë në shkrime dhe deklarata të ndryshme ka guxuar të përdorë shprehje fyese dhe ofenduese ndaj zyrtarëve të lartë të Republikës së Turqisë dhe popullit turk”- deklaroi ambasadori i Turqisë në Shkup, Ömür Şölendil.
 
Ambasadori turk e ftoi Televizionin “Sitel” të marrë masa administrative ndaj kryeredaktorit Llatas në bazë të parimit të objektivitetit mediatik dhe ligjeve në fuqi të Maqedonisë. Reagimit i janë bashkangjitur edhe deputetët, Kenan Hasip dhe Enes Ibrahim. Ndërsa disa qytetarë turq kanë protestuar para televizionit “Sitel” dhe Qeverisë. 
Ka reaguar edhe Agjencia për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele, e cila edhe një herë i rikujton radio-difuzerët se janë të obliguar t’i respektojnë standardet profesionale, te cilat janë bazë themelore për kryerjen e punës së gazetarit.  
 
“Pa marrë parasysh distancën profesionale, pa respektimin e dinjitetit të bashkëbiseduesit dhe të një sërë personave të tjerë të përmendur gjatë intervistës, dhe në vend të një interviste, e cila duhej të jetë e realizuar në nivelin dhe sipas rregullave të këtij zhanri të gazetarisë, opinioni ishte dëshmitar për një mungesë të përgjithshme të kulturës së komunikimit dhe mungesë të etikës”- thuhet nga Agjencia për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele.
 
Duke e pasur parasysh që respektimi i standardeve të gazetarisë është lëndë e vetrregullimit, Agjencia i bën thirrje Këshillit të Etikës së Mediave si dhe shoqatat e gazetarëve të marrin masa të cilat i kanë në dispozicion. E në reagimin e Këshillit të Etikes së Mediave në Maqedoni, mes tjerash, thuhet se përdorimi i gjuhës diskriminuese, nënçmuese, qasja arrogante si dhe diskreditimi i bashkëbiseduesit do te thotë thyerje e etikes gjatë informimit të opinionit, si dhe keqpërdorim të rolit të gazetarit, redaktorit apo edhe të nikoqirit gjatë intervistave. 
 
“Qëllimi fondamental në punën e një medias është që t’i shërbejë opinionit dhe të shtrojë çështje me interes publik, përmes fakteve, pikëpamjeve dhe komenteve, ndërsa zërat dhe spekulimet e paarsyetuara dhe të pabaza nuk mund të paraqiten si fakte. Përdorimi i fakteve të pakontrolluara opinionin e çojnë në huti, të njëjtat mund të shkaktojnë konfuzion dhe pasoja të pakontrolluara gjatë sjelljes se individit apo grupit. Mediat gjithashtu bartin edhe përgjegjësinë  që bashkëbiseduesit t’i mundësojnë ta shprehë dhe ta thotë qëndrimin e tij deri në fund për pyetje apo teza të parashtruara paraprakisht”, thuhet në komunikatën e Këshillit të Etikës.
 
Përmes Twiter-it ka reaguar edhe  euroambasadori Orav. Ai përveç brengosjes ka shprehur habi, nëse ky do te thotë raportim i balancuar medial!?
 
BESIM ABDULLAI