Maqedoni
OJQ-të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi, bashkë do të monitorojnë procesin zgjedhor
11.02.2016 16:41
Pesë organizata qytetare nënshkruan memorandum bashkëpunimi në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare...
Asociacioni Qytetar “Most”, “Civil”, Qendra për Analiza Ekonomike, Instituti për Studime të Komunikimit dhe “Transparensi Interneshënëll” u pajtuan që të bashkëpunojnë për informim të saktë dhe transparent me gjitha zhvillimet gjatë fushatës zgjedhore, duke mos anuar nga asnjëra parti dhe respektuar kushtetutën, ligjet, por edhe obligimet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me zgjedhjet.
Sllagjana Taseva e “Transparensi Interneshënëll” tha se partitë politike në mënyrë të pakontrolluar shpenzojnë paratë për fushatë, andaj do të bëhen kontrolle të shtuara në këtë drejtim.
“Shohim se partitë shpenzojnë shumë, ndërkaq institucionet kompetente nuk reagojnë fare. Aktiviteti ynë do të zhvillohet në drejtim jo vetëm të detektimit të të gjitha llojeve të donacioneve, por ato të evidentohen, të sigurohen dokumente dhe të udhëhiqen procedura nëpërmjet institucioneve kompetente, me qëllim që të vendosim transparencë më të madhe në financimin e politikës”- tha kryetarja e “Transparensi Interneshënëll”, Sllagjana Taseva.
Kontrolli i shpenzimit të fondeve shtetërore do të ndihmohet edhe nga Qendra për Analiza Ekonomike. Nën thjerrëzën e Institutit për Studim të Komunikimeve do të jenë mediat, përmbajtjet e tyre në informim, por edhe ndikimi politik ndaj tyre.
“Ky projekt do të mbikëqyrë punën e mediave dhe të vërtetohemi se mediat në Maqedoni e mbrojnë interesin publik dhe e mbrojnë premisën se pluralizmi politik është imperativ kur bëhet fjalë për proceset demokratike në vend”- theksoi Ivan Micevski nga Instituti për Studim të Komunikimeve.
Organizata Qytetare “Civil” dhe Asociacioni “Most” do të mbrojbë integritetin e votuesve që ata mos të jenë preh e trysnive, kërcënimeve dhe shantazheve parazgjedhore.
MERAL ISMAILI
