Maqedoni

Dëmshpërblime nga vërshimet për 373 familje, ankesa për mospërfshirje në listë

11.02.2016 17:12

373 familje gjithsej janë evidentuar për dëmshpërblim nga qeveria për objektet e tyre të dëmtuara nga vërshimet e 3 gushtit të vitit të kaluar...

Por, në këtë listë të shpallur nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve në bashkëpunim me Komunë e Tetovës, disa familje ankohen se nuk figurojnë në këtë listë përkundër aplikimit të tyre te institucionet përkatëse.
 
“Prej Shipkovicës jam, ja ku i kam dokumentet të gjitha”- tha një banor.        
                      
“Kemi aplikuar, por nuk jemi të parë, kemi pasur një arë të shkëputur nga vërshimet, ka qenë komisioni, i kam dorëzuar dokumentet, unë nuk jam për atë, kam ardhur të shoh, cak të bëj, a duhet të mbush formular a jo”- theksoi një banor.
 
“Kam aplikuar ka gjashtë muaj, por asgjë, dëme materiale plot”- tha një banor. 
 
Në këto lista nuk ndodhen edhe shumë emra të familjeve të dëmtuara të fshatit Shipkovic. Kryetari i Emergjencës, Dashmir Sadiku, apelon tek të gjithë institucionet kompetente që edhe një herë të rishqyrtojnë listat.
 
“Nga ajo listë që e bëra krahasimin, mungojnë një numër i madh, se nga ka ardhur kjo tani edhe ne kemi reagime nga fshatarët pse nuk gjenden në atë listë. Nga këtu i bëjmë edhe apel Komisionit për vlerësimin e dëmeve që t’i merr dhe t’i rishqyrtojnë këto lista, sepse revolta tek banorët është shumë e madhe”- deklaroi kryetari i Emergjencës në fshatin Shipkovic, Dashmir Sadiku.  
                         
Nga Komuna e Tetovës përgjegjësinë për këtë lëshim e hedhin te Qeveria, duke theksuar se persona që nuk janë në listë duhet të parashtrojnë ankesa.
 
“Në këtë drejtim ne veprojmë vetëm në bazë të listës që e kemi pranuar nga ana e Qeverisë dhe sigurisht në këtë drejtim do të duhet nga ana e komisionit, i cili ka qenë qendror për vlerësimin e dëmeve, të shikohet nëse ka ndonjë lëshim për personat të cilët nuk janë të përfshirë në listë”- tha përgjegjësi për shtabin e krizës, Amet Qazimi. 
 
Qeveria për dëmshpërblim nga vërshimet gjatë vitit të kaluar në Tetovë ka ndarë rreth 460.000 euro. Të gjithë personat e përfshirë në listë duhet të drejtohen në arkivin e Komunës së Tetovës për të aplikuar dhe më pas edhe të dëmshpërblehen.
 
VISAR SADIKI