Maqedoni

Reforma në media, palët amendojnë propozimin e Vanhautes

11.02.2016 17:27

Reforma në media megjithatë do të bëhen sipas propozimit të ndërkombëtarëve të parashtruar nga ndërmjetësuesi, Piter Vanhaute, që në dhjetor...

Palët kanë dorëzuar amendamentet rreth propozim-ligjit për media audio-vizuele dhe po i diskutojnë ato. Ndërmjetësi, Piter Vanhaute, vlerëson se dakordimi i palëve për të amenduar këtë propozim është sinjal, se procesi për reforma në media po lëviz.
 
Ai shprehu habi që VMRO-DPMNE ka parashtruar një listë të gjatë me amendamente, madje edhe për dispozita që nuk i ka kontestuar më parë.
 
“Ata dorëzuan një listë të gjatë me amendamente edhe për artikuj ku nuk kemi pasur asnjë propozim më parë, që është e habitshme. Megjithatë, kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Unë gjithmonë pres progres. Lajmi i mirë është se të paktën partitë u dakorduan dhe propozuan amendamente, që shpresoj se do t’i diskutojnë”- deklaroi ndërmjetësuesi ndërkombëtar, Piter Vanhaute.
 
“Nuk do të pranojmë zgjidhje hibride që nuk mund t’i gjeni në asnjë vend evropian”- ripërsëriti qëndrimin e VMRO-së përfaqësuesi i kësaj partie në bisedime, Ilija Dimovski. Sipas tij, adoptimi i cilitdo ligj, që ka të bëjë me mediat, nga ndonjë vend evropian, mbetet mënyra më e mirë për reformat në media dhe harmonizimin e ligjeve me ato të BE-së.
 
Ndërkaq, përfaqësuesi i LSDM-së në bisedime, Robert Popovski, tha se intervista e liderit të opozitës maqedonase në TV Sitel, një ditë më parë, është një dëshmi se nevojiten reforma thelbësore.  
        
“Prodhimi televiziv i ditës së djeshme plot shpifje, ofendime, gjuhë të urrejtjes, primitivizëm dhe racizëm, edhe një herë e dëshmoi nevojën për reforma në mediat në Maqedoni, jo çfarëdo qoftë, por reforma rrënjësore në media. Vetëm ato janë kusht për zgjedhje korrekte dhe demokratike”- theksoi Robert Popovski nga LSDM.
 
Propozim-ligji për media audio-vizuele i Vanhautes, ndër të tjera, parasheh zgjidhje sistemore për financimin e RTVM-së me një për qind të buxhetit shtetëror; rekonstruim të plotë të servisit publik brenda pesë vjetësh; reklama qeveritare me interes publik pa pagesë; uljen e taksave për mediat nga 18 në 5% dhe dënime për shkeljen e ligjeve sipas madhësisë dhe pushtetit apo shikueshmërisë së mediumit.
 
SHPËTIM NUREDINI