Maqedoni

OEMVP dhe Fondacioni “Dauti” mbështesin sektorin joqeveritar

11.02.2016 18:04

Përforcimi i qëndrueshmërisë së shoqërisë civile të Maqedonisë përmes ngritjes së pavarësisë financiare të OJQ-ve...

Përforcimi i qëndrueshmërisë së shoqërisë civile të Maqedonisë përmes ngritjes së pavarësisë financiare të OJQ-ve, është qëllimi kryesor i projektit “Qëndrueshmëria financiare e OJQ-ve në bashkëpunim me sektorin e biznesit”, të cilin sot e prezantoi Fondacioni “Dauti” në bashkëpunim me OEMVP-në.
 
“Sektori civil apo organizatat joqeveritare janë absorvuesit jo të parë të donacioneve nga sektori i biznesi, pasi që sipas analizave ato vinë diku në vend të katërt, pas personave fizik, klubeve sportive, organizatave fetare apo evenimenteve kulturore, dhe pikërisht kjo na ngre ne një nevojë që ta realizojmë këtë projekt”- deklaroi drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Dauti”, Ilir Idrizi.
 
Ndërsa nga OEMVP thonë se arsyeja se pse ata marrin pjesë në këtë projekt është se bizneset duhet të jenë të përgjegjshme ndaj nevojave të shoqërisë.
 
“Një prej objektivave të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore është të rrisë përgjegjësinë shoqërore të komunitetit të biznesit, sepse shoqëria ka nevojë edhe për ndihmën e biznesit”- tha drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Fatmir Bytyçi.
 
Grupet qëllimore të këtij projekti do të jenë 100 OJQ të Maqedonisë Veriperëndimore, 40 OJQ që kanë bashkëpunim me biznesin dhe 50 kompani të vogla dhe të mesme. Kohëzgjatja e projektit është 18 muaj dhe e njëjta do të duhet të përfundojë në maj të 2017-ës.
 
ERSAN PAJAZITI