Botë

Bisedimet për Sirinë, marrëveshje ndërkombëtare për armëpushim

12.02.2016 09:54

Pas bisedimeve maratonë në Mynih të Gjermanisë, fuqitë botërore kanë arritur marrëveshjen e armëpushimit në Siri, e cila do të hyjë në fuqi pas një jave...

Marrëveshja nuk përfshin grupet xhihadiste të “Shtetit Islamik” dhe “al-Nusras”, thënë ndryshe lufta ndaj tyre do të vijojë, kurse armëpushimi vlen për grupet qeveritare dhe forcat rebele kundër tyre.
 
“Besojmë se kemi arritur progres si në frontin human ashtu edhe për ndërprerjen e luftimeve. Mendojmë se do arrijmë të ndryshojmë jetën e sirianëve. Vendosëm të shtojmë ndihmat humanitare  sidomos në zonat ku ka nevojë urgjente për ndihmë. E dyta, ramë dakord për një armëpushim që do të fillojë pas një jave, që do të zbatohet nga të gjitha palët në Siri, me përjashtim të organizatave terroriste ‘Daesh’ dhe ‘Al-Nusra’ dhe çdo organizatë tjetër terroriste të caktuar nga Këshilli i Sigurimit”- deklaroi sekretari amerikan i shtetit, John Kerry.
 
Njoftimi për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit vjen vetëm pak ditë pasi ushtria siriane, e ndihmuar nga ajri nga avionët rusë, përparuan në Aleppo. Qeveria siriane dhe grupet kryesore të opozitës nuk kanë thënë nëse do të zbatojë armëpushimin.
 
Më shumë se 250 mijë njerëz kanë vdekur gjatë luftës civile thuajse 5 vjeçare në Siri, ndërsa 11 milionë të tjerë janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre, për shkak të përplasjeve të vazhdueshme mes forcave besnike të presidentit, Bashar al-Assad, dhe kryengritësve rebelë që kundërshtojnë regjimin e tij.
 
Por, jo vetëm, pasi shqetësim i madh mbetet edhe kërcënimi i të ashtuquajturit “Shteti Islamik” dhe militantëve xhihadistë të këtij grupimi ekstremist.
 
GAZMEND KURTISHI