Maqedoni

PPS gati rastin e parë “Titanik”, kërkohet arrest për 8 persona

12.02.2016 16:21

Prokuroria Publike Speciale hapi sot rastin e parë të hetimit. “Titanik” do të hetojë manipulimet zgjedhore për të cilat nga Prokuroria Speciale thonë se kanë prova të mjaftueshme...

Nga Prokuroria Speciale kanë kërkuar arrestimin e 8 personave në këtë fazë fillestare. Sipas kësaj Prokurore, persona të caktuar kanë bërë vepra penale si: Lëndim të së drejtës së votimit, blerje të votave, dëmtim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorime gjatë financimit të fushatës zgjedhore. Në 2012, që nga ministri i Brendshëm e ai i Transportit e deri te sekretarët qeveritarë e anëtarë të komunitetit ekzekutiv partiak kanë kryer vepra për të cilat ligji penal parasheh burg prej tre e më tepër vitesh. Ka dyshime edhe për përfshirje të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe për shefa dhe nëpunës policor, noterë të caktuar që kanë vërtetuar dokumente pa asnjë bazë ligjore. 
 
“Bëhet fjalë për kriminalizim të zgjedhjeve me dhënien e paligjshme të letërnjoftimeve dhe vendosjen në lista zgjedhore të personave të cilët në asnjë lloj baze nuk mund të jenë në atë listë. Disa persona janë fotografuar në një qytet, ndërsa letërnjoftimin e kanë marrë në qytet tjetër, kryesisht në komunën Qendër, kuptohet se edhe aty janë në listë zgjedhore dhe votojnë. Janë dhënë 15 mijë numra të rinj amzë, por nuk bëhet fjalë për të porsalindur. Kemi 35 mijë  letërnjoftime të përgatitura të cilat nuk janë tërhequr nga aplikuesit dhe askush nuk e di përse këto letërnjoftime qëndrojnë në MPB, kemi mbi 6.000 qytetarë të rinj në Maqedoni”- deklaroi prokurorja në Prokurorinë Publike Speciale, Fatime Fetahi.
 
Fetahu informoi edhe për hapjen e hetimeve për manipulime zgjedhore kundër anëtarëve të Komisionit votues në Çair.
 
“Ekziston dyshim se në procesverbal pas përfundimit të votimeve për kryetar të komunës së Çairit në vitin 2013 është bërë korrigjim i rezultateve dhe për një anëtar të komisionit gjithashtu është paraqitur lëndë për masa arrestimi paraburgim”- tha Fetahi.
 
Kryeprokurorja Janeva, ndërkohë, pret që edhe më tej të përballen me obstruksione, sidomos tani pas ngritjes së akuzave të para. Por, ajo thotë se nuk do të zmbrapsen.
 
“Obstruksioni do të vazhdojë, por ju garantoj qytetarëve se kjo nuk do të ketë efekt negativ në punën e Prokurorisë Speciale” theksoi kryeprokurorja speciale, Katica Janeva.
 
Përveç anëtarëve partiakë dhe emrave të lartë në hierarkinë e ekzekutivit, është hapur procedurë edhe për pesë anëtarë të Gjykatës Administrative, ndërkohë që në Manastir është arrestuar edhe kryetari i Bashkisë minoritare të Pustecit, Edmond  Themelko, mbi të cilin rëndojnë akuzat për manipulime të procesit zgjedhor, ryshfet në këmbim të votës dhe shkelje të së drejtës për të votuar.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU