Maqedoni
Mediat nënshkruajnë kartën për informim etik, synohet kthimi i profesionalizmit, dinjitetit të gazetarëve
12.02.2016 16:27
Pjesa më e madhe e mediave, TV-ve, gazetave dhe portaleve, nënshkruan sot kartën për raportin profesional mbi zgjedhjet...

Nga Këshilli për Etikë në Media, si iniciatore e përpilimit të kartës, thonë se ky dokument obligon nënshkruesit që midis tjerash të punojnë në bazë të principeve për informim të drejtë dhe objektiv, të bëjnë ndarje midis informacionit dhe komentit dhe të kenë pavarësi editoriale.
“Principet e kartës të zbatohen në punën e përditshme të gazetarëve gjatë informimit. Rezistenca e mediave që mos të zbatojnë principet nuk do të jetë rezistencë ndaj kartës dhe iniciativës sonë, por do të jetë rezistencë ndaj interesave të tyre dhe gazetarisë së mirë, dhe me këtë edhe humbjen e statusit të gazetarit të vërtetë”- deklaroi drejtoresha e Këshillit për Etikë të Mediave, Marina Tuneva.
Dragan Antonovski nga bordi drejtues i Këshillit të Etikës kërkoi nga të gjitha mediat që bashkërisht të kthejnë dinjitetin e profesionit. Vetëm me informim profesional mund të kthehet besimi në media.
”Me këtë kartë, për të cilën nuk mjafton vetëm nënshkrimi që nesër t’i kthehemi praktikës së vjetër, ne duam që të shohim gatishmërinë tuaj, të kthehemi në standardet profesionale gazetareske dhe duam që t’u themi edhe politikanëve se standardet dhe principet në profesion janë pikërisht këto standarde. Do të duhet që të zgjojmë edhe vullnetin e tyre, që mos të turpërohemi as ne nga profesioni e as ata nga qeverisja aktuale”- tha Dragan Antonovski nga bordi drejtues i Këshillit të Etikës.
Karta për raportim etik, që konsiderohet si hap i parë për reforma në media, mbetet e hapur për t’u pranuar edhe nga mediat që akoma nuk e kanë firmosur atë.
RTVM e ka kodin etik të sajin për raportim gjatë fushatës zgjedhore.
MERAL ISMAILI
