Maqedoni
Kriza me refugjatët, Bejli: Trajtim dinjitoz për migrantët
12.02.2016 16:38
Jo vetëm ndihma humanitare dhe respekti ndaj refugjatëve, por edhe kontrolli i kufijve, si nevojë legjitime...

Jo vetëm ndihma humanitare dhe respekti ndaj refugjatëve, por edhe kontrolli i kufijve, si nevojë legjitime, janë dy çështje shumë të rëndësishme për Maqedoninë, ka thënë ambasadori amerikan, Xhes Bejli, i cili mori pjesë në dhënien e donacionit Kryqit të Kuq nga ana e Ambasadës së ShBA-ve për nevoja të trajtimit më të mirë të refugjatëve gjatë qëndrimit të tyre transit për në vendet e BE-së.
“Unë e di që planet e ndryshme janë diskutuar në Bashkimin Evropian, por unë nuk jam pjesë e këtij diskutimi dhe nuk do të kisha komentuar. Por, mendoj se qëllimi është i përbashkët, që të sigurohen kufijtë dhe refugjatët të trajtohen me dinjitet dhe respekt, ashtu siç e meritojnë”- deklaroi ambasadori i ShBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli.
Ndihma humanitare, e cila kap vlerën prej 300 mijë dollarësh, të cilën Kryqi i Kuq e pranoi sot në formë donacioni, do ta shfrytëzojë në menaxhimin e krizës me refugjatët.
“Është një ndihmë humanitare me vlerë prej 300 mijë dollarësh, e cila në përgjithësi përmban pajisje, të cilat ne mund t’i shërbejmë dhe mund ta zmadhojmë efikasitetin tonë në teren sa i takon punës me migrantët”- theksoi Sait Saiti nga Kryqi i Kuq.
Donacioni përmban gjeneratorë, tenda, çanta gjumi dhe pajisje të tjera, të cilat Kryqi i Kuq i Maqedonisë do t’i shpërndajë në qendrat transite, Tabanoc dhe Gjevgjeli.
REJHANE BUSHI-METAJ
